News That Matters

Xhafer DEVA, “Jeta dhe veprimtarija”

Marrë nga Agim Morina

Xhafer DEVA
ZHVILLIMET HISTORIKE NË KOSOVË DHE SHQIPNI
Periudha Shtator, 1943 — Nandor 1944 [Pjesa e parë]
Para shpalljes së kapitullimit të Italisë gjendja në Shqipni, tue përfshi edhe vendet fqij shkurtasi paraqitej si vijon:
Ushtrija italjane: Afër 7 divizione të kambësorisë të vendosuna nëpër qytetet kryesore të Shqipnisë, gjatë kufijvet të Greqisë, në Mal të Zi, në Dalmaci dhe në Sanxhak të Pazarit të Ri. Përveç këtyne, ishin edhe dy regjimente të thjeshta shqiptare të kambësorisë të vendosuna në qytetet e Prishtinës dhe të Gillanit në Kosovë. Me përjashtimin e aeroportave të Beranës dhe të Podgoricës (Mali Zi), aeroportet në Shqipni gjindeshin n’at kohë nën kontrollin e plotë të ushterisë gjermane.
Masat ushtarake gjermane: Dy divizione t’ushterisë gjermane, në pritje të ngjarjes së shënueme ma siper, ishin perqindrue rreth e perqarkë të kufijve të Shqipnisë, tue fillue prej Greqisë veriore deri në Mitrovicë, gadi me nderhye me shpejtësi të madhe.
Gjendja e mhrendëshme në Shqipni: Nji qeveri shqiptare nën kryesinë e Ekrem Libohovës, i cili me kohë ishte largue në Itali, gjindej e kryesueme prej Iljaz Haxhi Augushit prej Prishtinës. Kjo qeveri ishte sa për emen, mbasi kishte humbë pothuej krejt kontrollin e drejtimit shtetnor per arsye se vendi gjindej në kaosin e plotë të nji lufte të pamëshirëshme vllavrasje midis nacionalizmit të vertetë dhe komunistave të mbuluem nën emnin e famëshem të “nacional-çlirimtares”. Në Shqipninë e Jugut lufta ne mes të këtyne dy grupeve gjindej në fazen decizive të dallimit të marrjes së fuqisë. Siç dihet, kjo luftë perfundoj muejë ma vonë me fitimin e nacionalçlirimtares. Shqipnija e mesme dhe e veriut gjindej nën presionin ma të madh të agjitacionit dhe të propagandes së mbrendëshem e të jashtem komunist dhe të radiovet përendimore. Nder këto rrethana natyrisht jeta normale e popullatës shqiptare kishte pësue nji tronditje të thellë. Komunikacionet midis qytetevet të Shqipnisë ishin vazhdimisht të rrezikueme jo vetem prej luftës civile, por edhe prej bandave kriminelësh që vritshin dhe plaçkitshin udhtarët. Nder qytete organet e sigurimit të dobsueme dhe të frigsueme nuk ishin në gjendje me mbrojtë jeten dhe pasuninë e popullësisë që gjindej vazhdimisht nën terrorin e atentatave politike dhe të hakmarrjeve personale. Shkurtasi, gjendja në Shqipni të 1913-tes kishte mbrri në nji shkallë që nuk mund të flitej ma per nji jetë të perbashkët të rregullit e të drejtësisë shtetnore.
Gjendja në Kosovë: Në kontrast me sa ma siper, gjendja në Kosovë paraqitej normale edhe e qetë. Me gjith se nuk kishte ma lidhje normale të drejta me Tiranën, administrata shtetnore, tue perfëshi edhe organet e sigurimit publik, vazhdonte me funkcionue në rregull të plotë. Koshjent të rrizikut të perherëshem nga ana e grupeve shoveniste Serbe (çetnikve) formacionet vullnetare Kosovare që ishin ngarkue me mbrojtjen e kufivet, gjindeshin në krye të detyres.
NË PRAG TË KAPITULLIMIT ITALJAN
Në mbështetje të marreveshtjes me Perfaqsuesin të Plotfuqishem per Evropen juglindore të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Dr. H. Neubacher, shteti gjerman kishte dhanë sigurime per sa vijon:
a) Bashkimin e krahinave shqiptare të Kosovës, Tetovës etc. që gjindëshin nën okupacionin ushtarak italjan me shtetin shqiptar të 1913-tes;
b) Vazhdimin perkohësisht me mbajtë statusin e deritanishem të 4 Nënprefekturavet të banueme me shumicë prej shqiptarve të Mitrovicës, Vuçiternit, Podujevës dhe të Pazarit të Ri, që gëzojshin nji autonomi shqiptare mbrenda shtetit Serb;
c) Gjermanija, në nji çast të volitshem me ngjarjet ne zhvillim e siper të kapitullimit italjan, do të bante nji shpallje zyrtare, në të cilen të njihen: çkuptja e shtetit shqiptar nga Perandorija italjane dhe pamvarësija shtetnore e tij.
d) Gjermanija per gjatë luftës madhe në vijim do të vendoste formacione ushtarake në disa pika strategjike të Shqipnisë, tue premtue terhjeqjen e tyne të plotë në mbarim të luftës.
[Xhafer DEVA, “Jeta dhe veprimtarija” – “A Biographical Portrait”, New York, 1980.]
[Përgatiti për publikim A.M.]

div.meta-author { display:none; }