
19/03/2022. 21:01
nga Valdrin Ibishi 24 mins më parë
Krimet ç’njerëzore të bëra në luftën e Kosovës, nga Sllovodan Millosheviq, u arsyetuan nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Vuçiq i qau hallin “Kasapit të Ballkanit” se në vitin 1999, po përjetonte presion të madh.
Këtë deklarim për ish-shefin e tij, Vuçiq e bëri duke iu sugjeruar presidentit rus dhe atij ukrainas, t’i shpëtojnë vendet e tyre nga lufta, meqë paqja është e rëndësishme.
“Gjithnjë fajtorin e gjejmë te dikush tjetër dhe për një konflikt lufte, çfarëdo që të ndodhë, duhen gjithmonë dy [palë]. Më thuaj, Millosheviqi nuk është fajtor për Rambujenë? Ndoshta jo, presioni ishte i tmerrshëm. Por ai duhej të llogariste pasojat. Të njëjtën gjë do t’i thosha sot Putinit dhe Zelenskyt. Le të jenë humbës dhe të humbasin zgjedhjet, por le ta shpëtojnë vendin”, është shprehur Vuçiq.
Kjo nuk është hera e parë që Vuçiq flet mirë për ish-shefin e tij, të akuzuar për krime lufte.
Atë e kishte lavdëruar edhe në fjalimin e tij në veri të Kosovës, në shtatorin e 2018.
Në këtë tubin, i pari i Serbisë kishte thënë se ish-kreu jugosllav ka pasë qëllime të mira, derisa assesi s’kishte përmendur të bëmat ndaj popullit në Kosovë.
Elozhe e respekt kriminelit Millosheviq i bëri edhe njeriu që u mundua t’i fshijë të bëmat e Serbisë ndaj shqiptarëve gjatë luftës, duke tentuar ta mohojë Masakrën e Reçakut.
Ministri i Mbrojtjes i këtij vendi, Aleksandër Vulin, ditë më parë bëri homazhe tek varri i Millosheviqit, duke u përkulur para tij.