
14/06/2022. 15:24
Organizata e Veteranëve të Luftës ka paralajmëruar se të enjten do të mbahet një protestë e cila nis nga ora 09:30.
Kjo protestë do të organizohet në bashkëpunim edhe me Shoqatën e Familjes së Dëshmorëve dhe Shoqatën e Invalidëve të Luftës.
Protesta bëhet në kundërshtim të Projektligjit të pagës minimale, që u miratua në parim nga Kuvendi i Kosovës me 68 vota pro e që u votua edhe nga Lista Serbe.
Ky projektligj nuk i përfshijnë veteranët e luftës.
“Për shkak të këtij turpi të deputetëve të Kuvendit, Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së, ftojnë protestë gjithëpopullore para institucioneve (Kuvend e Qeveri) me datën 16 qershor 2022 prej orës 09:30. Dalja sa më masive në protestë, nënkupton mbrojtje të institucionit më të lartë, luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kategorive të saj”- thuhet në njoftimin e Organizatës së Veteranëve të Luftës.
“Kuvendi i turpit të Kosovës, deputetët e pushtetit (me ndonjë përjashtim) së bashku me pakicat, të rrethuar me forca policore, miratuan në lexim të parë projektligjin për ndryshimin e ligjeve, me anë të të cilit u përjashtuan veteranët e luftës së UÇK-së edhe nga paga minimale”.
“Ata vepruan sot edhe kundërligjshëm e kundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, pra kundër ligjit 05/L-141 i cili thotë në nenin 16 A pika 3.1. “Deri në kategorimin përfundimtar të listës së Veteranit Luftëtar të UÇK-së, skema pensionale zbatohet siç është paraparë me ligjin bazik”, pra ligji bazik është ai që i lidhë veteranët me pagën minimale”.