News That Matters

“Urime 8 Marsi” nga gratë e Jasharajve

08/03/2022 22:22

Ish-kryetari i Skënderajt, Bekim Jashari ka publikuar një fotografi me Rifat Jasharin, motrat e mbesat e tij.

Me këtë imazh ai ka uruar ditën e gruas për të gjitha nënat e motrat shqiptare, shkruan Jepi zë.

Ai ka kujtuar gratë e familjes Jashari dhe të gjitha gratë që sakrifikuan gjithçka për lirinë e Kosovës.

Postimi i plotë:

Mixha i dashur Rifat, bashkë me motrat e tij, mbesat, Besarten, Shqipen, Marigonen dhe gratë tjera të familjes sonë në ditën ndërkombëtare të gruas.

Urime dita e gruas të gjitha nënave e motrave shqiptare!

8 marsi simbolizon përpjekjet e palodhura të grave për të pasur një pozitë më të avancuar në shoqëri. Kjo datë historikisht shënon punën që kanë bërë gratë për t’u bërë pjesë e vendimmarrjes, duke u ballafaquar në anën tjetër me trysninë që i’u është bërë nga vetë shoqëria patriarkale.

Edhe pse duke qenë pjesë e një shoqërie që nuk i kanë respektuar sa duhet të drejtat e grave shqiptare, gratë përsëri ja kanë dalur të mposhtin çdo paradigmë të krijuar nga vetë shoqëria.

Kur përmendim kontributin e grave në shoqëri nuk mundemi kurrsesi të mos përmendim e nderojmë nënën Terezë, humanisten me zemër të madhe për të cilën flet e gjithë bota, nenën Zahide të Adem e Hamëz Jasharit bashkë me gratë tjera e vajzat e familjes sime që qëndruan afër e ndihmuan burrat deri në rënie, nënën Aze Brahimaj e nënën Rukë të Shkelzen e Luan Haradinajt, të cilat rriten trima e trimëresha që nuk kursyen as jetën për atdhe, heroinat Shotë Galicen, Xhevë Lladrovcin, Salë Jasharin, nënën Ferdonije Qerkezi, heroinën time Besarten, Saranda Bogujevcin të cilat mbijetuan falë zotit dhe shumë e shumë nëna e motra shqiptare që luftuan e sakrifikuan për Lirinë e Kosovës dhe kështu dëshmuan se dallimet gjinore në shoqëri nuk duhet ekzistuar.

Në këtë ditë feste, kurajo për Vasfije Krasniqin dhe gratë tjera viktimë të gjenocidit serb.

Sot kemi kampionen botërore në xhudo, xhudisten Majlinda Kelmendi, këngëtaret Rita Ora, Dua Lipa, artisten Arbnora Fejza Idrizi, regjisoren Blerta Basholli si dhe shumë e shumë gra të tjera që me punën e tyre ngritën flamurin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Jam i vetëdijshëm që si pasojë e mentalitetit patriarkal gratë nuk e kanë pasur vendin e merituar në shoqëri, ato shpesh janë privuar nga të drejtat themelore si shkollimi, e drejta e pronësisë, trashëgimisë, punës, pjesëmarrjes në jetën politike e shoqërore, por falë angazhimit të palodhshëm të grave dhe të institucioneve sot kemi arritur që të shënojmë hapa pozitiv në arritjen e barazisë gjinore në shtetin tonë.

Urime!

div.meta-author { display:none; }