
13/05/2022 10:20
Me rastin e vdekjes së legjendës së boksit kosovar, Xhevdet Peci, mbrëmë nën patronazhin e kryetarit të komunës, Bedri Hamza, është mbajtur akademi përkujtimore në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”.
Në këtë mbledhje morën pjesë edhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Valdete Idrizi, ministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillim Rural, Faton Peci, zv. ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, deputetë të Kuvendit të Kosovës, familjarë dhe qytetarë tjerë.
Mbledhja përkujtimore për ish- boksierin, Xhevdet Peci, filloi me himnin kombëtar të Kosovës dhe atë të Shqipërisë, si dhe të pranishmit mbajtën një minutë heshtje për të nderuar kontributin e tij të dhënë në sportin e boksit kosovar.
Në fjalën e tij kryetari Bedri Hamza, pasi shprehi ngushëllimet më të sinqerta për familjarët dhe sportdashësit për vdekjen e ish boksierit, theksoi se do të merret iniciativë që njëra nga rrugët, sheshet apo objektet sportive ta mbajë emrin e Xhevdet Peci.
“Si kryetar i Mitrovicës zotohem se do të marr iniciativën që njëra prej rrugëve, shesheve ose objekteve sportive apo objekteve tjera do ta mbajë emrin e legjendës Xhevdet Peci”, është shprehur kryetari Hamza.
Ndërkaq, përmbylljen e mbledhjes përkujtimore të Xhevdet Pecit e bëri djali i tij, Ehad Peci duke shprehur falënderimet e tij ndaj të pranishmëve në sallë.
U mbajt mbledhja përkujtimore me rastin e vdekjes së ish boksierit Xhevdet Peci