
11/10/2021 19:04
Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka lëshuar një deklaratë lidhur me vizitën e të dërguarit të tij Richard Grenell në Kosovë.
Trump thotë se populli i Kosovës dhe ai i Serbisë kanë kapërcyer pengesa të mëdha duke kërkuar normalizimin ekonomik.
Presidenti i 45-të i SHBA-ve shtoi se marrëveshjet e ndërmjetësuara nga administrata e tij janë historike dhe nuk duhet të braktisen.
“Popujt e mrekullueshëm të Serbisë dhe Kosovës kanë kapërcyer pengesa të mëdha në kërkim të normalizimit të tyre ekonomik. Marrëveshjet e ndërmjetësuara nga administrata ime janë historike dhe nuk duhet të braktisen, shumë jetë janë në pikëpyetje. Rajoni është shumë i rëndësishëm dhe njerëzit kanë pritur shumë gjatë që kjo punë të lihet mënjanë”.
Në deklaratën e publikuar nga drejtori për komunikim Taylor Budowich, Donald Trump thotë se Richard Grenell e vizitoi kufirin Kosovë – Serbi pikërisht për ta theksuar marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë.
Ai thotë se normalizimi mes të dy vendeve është i mundur, por tha se kjo kërkon përpjekje të sinqertë.
“Sot, i dërguari im ambasadori Rich Grenell vizitoi kufirin Kosovë-Serbi për të theksuar këtë marrëveshje të rëndësishme. Ashtu siç dëshmuam në Lindjen e Mesme me Marrëveshjet e Abrahamit, paqja dhe normalizimi ekonomik është i mundur, por kërkon një përpjekje të sinqertë dhe udhëheqje të palëkundur. Paqja është e mundshme, mos u dorëzo – prosperiteti afatgjatë për këto dy kombe është në pikëpyetje!”.