
Nga Rexhep Rifati
Sot në Vlorën e Ismail Qemalit ishim dëshmitar të një akti madhor, zbulimit të shtatores së Tribunit Dardan të Pavarësisë, Hasan Prishtinës, punuar nga skulptori mitrovicas, Sabri Behramaj, që sipas Mehmet Prishtinës, ky tribun “që moti e kishte vendin në Vlorë, aty ku ai fizikisht, intelektualisht e shpirtërisht ishte i lidhur, por rrethanat e kohës, që dinë nganjëherë të jenë edhe absurde, ndikuan që të ndodhë një shkëputje në mes të vet figurës së Hasan Prishtinës dhe Vlorës si piemont i pavarësisë së Shqipërisë.- Fjalë rasti mbajtën edhe Ministri i Mbrojtjes së Kosovës Armend Mehaj dhe bashkiakët e Prishtinës e Vlorës Përparim Rama e Dritan Leli, ndërsa pjesën artistike e përmbushën orkestra e gardës shqiptare dhe grupi artistik nga Labëria.
Vlora sot gdhiu nën petkun solemn edhe të një ngjarje shumëdomethënse si për të kaluarën dhe të ardhmen e saj, pasi nga sot monumenteve të figurave qendrore të Pavarësisë së Shqipërisë në 110 vjetorin e saj, krahas Ismail Qemalit e Isa Boletinit, do ti bashkohet edhe ajo e kolosit të Kosovës dhe gjithë shqiptarisë, Hasan Prishtinës, e derdhur në bronz nga skulptori mitrovicas, Sabri Behramaj
Orator i parë në këtë ngjarje me peshë historike, ishte Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj i cili me fjalën e rastit vlerësoi lartë kontributin e Hasan Prishtinës, duke potencuar se: “Figurat e tilla si kjo e Hasan Prishtinës nuk njohin kufij shtetëror, ngase të tillë kufij nuk kishte bërë as kur ishte gjallë. Hasan Prishtina nuk ishte i Prishtinës, as i Vushtrrisë qytetit ku lindi, por ashtu siç është sot ishte i gjithë atdheut” përkujtoi ministri Mehaj.
Me këtë rast shkëputëm aksente nga fjala e fjala fjala e Mehmet Prishtinës, përfaqësues i trungut familjar të Hasan Prishtinës, i cili ishte edhe ideator e edhe financues i këtij monumenti, që nga sot stolis parkun e Shtëpisë së Kulturës “Labëria” në Vlorë, në afërsi të monumentit të Ismail Qemalit e të Isa Boletinit:
Hasan Prishtina, një amanet i dyfishtë që po vjen në Vlorë
Që në fillim Z. Mehmet Prishtina tha se: sot para jush vjen një amanet i dyfishtë nga Kosova. Amaneti i parë është vet historia Kosovës që është ngusht e lidhur me Vlorën e Pavarësisë, me Vlorën e Ismail Bej Qemalit, kurse amaneti i dytë është i babait tim të ndjerë si detyrim moral për mua, që u vra në një ballafaqim me forcat serbe në Drenicë. Ky amanet sot ndodhet para jush, është shtatorja e kolosit tonë Hasan Prishtina, e derdhur në bronz nga skulptori nga Mitrovica, Sabri Behramaj, një vepër kjo artistike e punuar me dashuri e përkushtim të madh krijues. Prandaj, shfrytëzoj rastin që sot publikisht të falënderoj Sabriun për këtë vepër që u bë edhe shkas të jemi sot bashkë të gjithë në Vlorën tonë të lavdisë dhe bujarisë, aty ku në shiritin e kohës na rikthehet edhe një herë ballkoni prej ku u valvit për herë të parë flamuri i shtetit të pavarur shqiptar si dhe fama e burrave të Kaninës, prej ku doli figura markante e Ismail Bej Vlorës.