03/06/2022. 14:03
Mbi 24 mijë nxënës të klasëve të nënta, të shtunën do t’i nënshtrohen pjesës së parë të Testit të Arritshmërisë.
Testimi do të mbahet në 176 qendra, ku të angazhuar për mbarëvajtjen e këtij procesi janë rreth 1600 administrues, raportoi të premten KSP-ja.
Pjesa e dytë e këtij testi do të mbahet më 14 qershor dhe nxënësit do të kenë mundësi që gjatë dy ditëve të përgjigjen në 200 pyetje, katër lëndë në ditën e parë dhe pesë lëndë në ditën e dytë të testimit.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka vizituar shkollën fillore të mesme të ulët “Dardania” në Prishtinë, ku ka biseduar rreth organizmit të Testit të Arritshmërisë, me nxënës, mësimdhënës dhe drejtues të kësaj shkolle.
Ajo ka njoftuar se nxënësit do të kenë në dispozicion dy orë për t’u përgjigjur në pyetjet e parashtruara, për të cilat edhe shprehu bindjen se do të jenë në përputhje me atë çfarë kanë mësuar gjatë shkollimit.
Sa i përket uljes së përqindjes së pikëve për regjistrim në shkolla të mesme të larta, nga 60 në 40 për qind, ministrja Nagavci theksoi se qëllimi i vetëm ka qenë që nxënësit të mos penalizohen për punën që kanë bërë për nëntë vjet.
Ajo ka kërkuar përgjegjësi nga të gjithë akterët e përfshirë në proces, si dhe respektim të plotë të rregullave të caktuara.