
21/02/2022 15:00
Një studim i ri lë të kuptohet se të mbijetuarit e sulmit në zemër mund të kenë një avantazh të pazakontë ndaj njerëzve të tjerë, një rrezik pak më të ulët të zhvillimit të sëmundjes së Parkinsonit.
Studiuesit zbuluan se krahasuar me njerëz të ngjashëm që nuk kishin pësuar kurrë një atak në zemër, të mbijetuarit kishin 20 për qind më pak gjasa për t’u diagnostikuar me Parkinson gjatë 20 vjetëve të ardhshëm.
“Ky është një studim epidemiologjik dhe nuk mund të vërtetojë shkakun dhe efektin”, tha James Beck, zyrtari kryesor shkencor për Fondacionin jofitimprurës Parkinson, përcjell Klankosova.tv
Mund të ketë arsye të ndryshme që sulmi në zemër lidhet me një rrezik më të ulët të Parkinsonit, sipas Beck, i cili nuk ishte i përfshirë në studim.
Gjetjet, të publikuara së fundmi në Gazetën e Shoqatës Amerikane të Zemrës, shtojnë dëshminë se disa faktorë rreziku për sëmundjet e zemrës, duke përfshirë duhanin dhe kolesterolin e lartë, janë të lidhur paradoksalisht me një rrezik më të ulët të Parkinsonit.
Sëmundja e Parkinsonit prek gati 1 milion njerëz në Shtetet e Bashkuara, sipas Fondacionit të Parkinsonit.
Është një sëmundje e trurit që me kalimin e kohës shkatërron ose pamundëson qelizat që prodhojnë dopaminë, një kimikat që ndihmon në rregullimin e lëvizjeve dhe reagimeve emocionale.
Simptomat më të dukshme të Parkinsonit janë të lidhura me lëvizjet (dridhjet, gjymtyrët e ngurtësuara dhe problemet e koordinimit), por efektet janë të gjera dhe përfshijnë depresionin, nervozizmin dhe problemet me kujtesën dhe aftësitë e të menduarit.