
23/03/2022 22:50
Talibanët po përballen me reagim ndërkombëtar, pasi ata njoftuan se vajzat nuk do të lejohen të ndjekin shkollën e mesme, pavarësisht garancive të tyre të mëparshme.
“Mohimi i arsimit shkel të drejtat njerëzore të grave dhe vajzave. Përtej të drejtës së tyre të barabartë për arsimim, kjo i lë ata më të ekspozuar ndaj dhunës, varfërisë dhe shfrytëzimit”, tha Michelle Bachelet, komisionerja e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut.
Njoftimi surprizë erdhi vonë të martën mbrëma. Shumë mësues dhe nxënës e morën vesh vetëm të mërkurën në mëngjes, ditën e parë të vitit shkollor në Afganistan, ndërsa vajzat përgatiteshin të ktheheshin në klasë pas një pushimi gjashtëmujor të shkaktuar nga trazirat në vend.
“Shumë vajza të emocionuara tashmë prisnin jashtë shkollës. Ata ishin këtu disa orë para se të fillonin orët e mësimit. Ato ishin shumë të lumtura dhe të emocionuara. Pastaj u njoftuam për urdhrin e ri”, tha një mësuese shkolle në Kabul.
Vajzave u është ndaluar shkollimi përtej shkollës së mesme në pjesën më të madhe të vendit qëkur talibanët u kthyen në pushtet.
Vendimi është parë si i duhur për shtresën rurale dhe thellësisht fisnore, të cilët ngurrojnë t’i dërgojnë vajzat e tyre në shkollë.
Waheedullah Hashmi, përfaqësues i marrëdhënieve të jashtme dhe donatorëve me administratën e udhëhequr nga talibanët, tha se qendrat urbane janë kryesisht mbështetëse për arsimimin e vajzave, ndërsa tha se pjesa më e madhe e Afganistanit rural ishte kundër.
“Në disa zona rurale, një vëlla në fshat nuk do flasë më me vëllanë e tij në qytet, nëse e merr vesh se po i lë vajzat e tij të shkojnë në shkollë”, tha Hashmi.
Stacionet televizive afgane transmetonin intervista me vajza që qanin, pasi kuptuan se nuk do të lejoheshin të ndiqnin mësimin, raporton Guardian.
“Kur mbërrita, isha shumë e lumtur, por mësuesja ime po qante dhe nuk e dija pse. Kur ajo na tha lajmin, të gjithë filluan të qajnë”, tha një studente.
“Ne jemi njerëz. Ne kemi të drejta. Pse po luajnë me të ardhmen tonë? Duam vetëm të vazhdojmë studimet. A është krim të jesh vajzë? A është një krim që duam të studiojmë?”, tha një studente tjetër.