
29/09/2021 19:03
Sot bëhen 22 vjet nga vdekja e dëshmorit Ferki Aliu, komandant “Ferra, njëri nga ushtarët e parë të UÇK-së.
Pas 3 plagosjeve që i kishte mbijetuar në beteja të ndryshme gjatë luftës, Ferra humbi jetën në ditët e para të çlirimit në një aksident!
Ferki Aliu ishte veprimtar i hershëm i lëvizjeve ilegale të vendit, si dhe ishte ndër themeluesit e Zonës Operative të Shalës. Ai ishte ndihmës komandant për zbulim dhe kundërzbulim në Brigadën 142 të Zonës Operative të Shalës.
Po ashtu, ishte bashkëveprimtar dhe bashkëluftëtar i figurave të UÇK-së, që padrejtësisht po mbahen në Hagë.
Për nder të tij, stadiumi i qytetit në Vushtrri, mban emrin Ferki Aliu.
Në 22 vjetorin e vdekjes, ai është kujtuar nga bashkëluftëtarët dhe familjarët. Por, në këtë ditë të dhimbshme, në mënyrë të veçantë e ka përkujtuar e bija Tringa Aliu, të cilën e kishte lënë vetëm 3 vjeçe.
“Kapelën e UÇK-së me të cilën kam luajtur në kokën tënde dhe pastaj mbaj mend vetëm dhimbje dhe mall!”, shkruan ajo.
Postimi i plotë:
Babi, unë do të doja të mbaja shumë kujtime për ty, por une mbajë vetëm një kujtim si në mjegull.
Kapelën e UÇK-së me të cilën kam luajtur në kokën tënde dhe pastaj mbaj mend vetëm dhimbje dhe mall!
Do të jetojë me krenarinë për ty babi, kur ndeshëm kudo me emrin tënd prej heroi!
Lavdi guximit e sakrificës tënde e shokëve tu per lirinë që e gëzojmë ne të gjithë!