
Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, tha se dorëheqjet e tyre i kanë dorëzuar “me ndërgjegje të pastër”, sepse, siç thotë ai, kanë provuar gjithçka për nëntë vjet e gjysmë – të zgjasin “dorën e pajtimit” .
“Dorëheqjet nuk janë rezultat i lodhjes nga lufta, sepse ne nuk do të jemi mbulesë për institucionet e Kosovës që të vazhdojnë të ushtrojnë dhunë institucionale ndaj popullit tonë. Dhe çfarë morëm ne – rrahja e qytetarëve tanë, militarizimi i veriut, akuza të rreme ndaj të gjithë atyre që nuk janë të gatshëm të heqin dorë nga shteti serb dhe populli serb”, tha ai, duke shtuar se sot po luftojnë për paqe dhe stabilitet jo vetëm për serbët, por edhe për të tjerët.
Simiq tha se Milan Radoiçiq mban “ndoshta barrën më të madhe në vitet e fundit vetëm sepse ai e do dhe mbron popullin serb dhe e do vendin e tij Serbinë” dhe kërkoi që të mbledhurit ta përshëndesin si “patriot të sinqertë”.
Milan Radoiçiq është në listën e zezë të SHBA-së për shkak të përfshirjes së tij në krimin e organizuar ndërkombëtar. Atë e kërkon edhe Kosova dhe ai është i lidhur me vrasjen e politikanit serb opozitar Oliver Ivanoviq.