News That Matters

Si u shndërrua çështja e targave në problem madhor në mes të Kosovës e Serbisë?

Prishtinë, 29 qershor 2022 – Kjo është data kur Qeveria e Kosovës mbajti mbledhjen e 85-të të saj dhe mori një vendim që do t’i rikthente tensionet me shtetin serb. Të gjitha automjetet e pajisura me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori 1999 deri më datë 21 prill 2022, do t’u mundësohej regjistrimi i mjeteve me targa RKS. Ky vendim do të fillonte më 1 gusht dhe do të zgjaste deri më 30 shtator. ” Vendimi ka karakter të papërsëritshëm pas përfundimit të periudhës së vlefshmërisë. Vendimi obligon Ministrinë e Punëve të Brendshme që të ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme me qëllim të realizimit të këtij procesi”, thuhet në vendimin e Qeverisë, shkruan Periskopi.

Një ditë para se ky vendim të hynte në fuqi, serbët lokalë në veri të Kosovës bllokuan me kamionë rrugën magjistrale në afërsi të pikëkalimit kufitar të Jarinjës, që gjendet në Komunën e Leposaviqit.

Pas këtyre tensioneve, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, pak para mesnatës së 31 korrikut i shkoi në zyre kryeministrit Kurti, ku i kërkoi të shtyejë për një muaj zbatimin e vendimit për masat e reciprocitetit me Serbinë për dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të automjeteve të Serbisë.
Pas këtyre tensioneve, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, pak para mesnatës së 31 korrikut i shkoi në zyre kryeministrit Kurti, ku i kërkoi të shtyejë për një muaj zbatimin e vendimit për masat e reciprocitetit me Serbinë për dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të automjeteve të Serbisë.

“Mendoj se shtyrja e zbatimit do të ishte e nevojshme, pasi duket se ka pasur dezinformata dhe keqkuptime për vendimin. Shpresojmë të punojmë me partnerët tanë në Bashkimin Evropian që të ulen tensionet. Ne nuk po kërkojmë anulimin e vendimit të jem i qartë, por shtyrjen”, tha ambasadori Hovenier.

Këtë kërkesë, Qeveria Kurti e pranoi me kushtin që të hiqeshin barrikadat nga rrugët në veriun e Kosovës.

“Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës”.

Sipas vendimit të mëhershëm të Qeverisë, nga 1 shtatori deri më 31 tetor, qytetarët në veri, që kanë targa të lëshuara nga Serbia, do të mund t’i konvertonin ë ato në RKS- Republika e Kosovës. Pas kësaj date, ekzekutivi kishte thënë paraprakisht se makina me targa të tilla nuk do të mund të qarkullonin në territorin e shtetit e as të kalonin kufirin.

Më 27 tetor, kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, dhe zyrtarët serbë, paralajmëruan barrikada në veri, nëse Kosova pas 31 tetorit do të konfiskonte targat dhe makinat e serbëve.

Në anën tjetër ministri Sveçla tha se nga 1 shtatori deri më tash, “nën presion” dhe “sulme”, vetëm një numër i vogël kanë riregjistruar makinat e tyre në RKS.

Vuçiq kishte deklaruar më 26 tetor se targat KM (Mitrovicë e Kosovës) do të mbeten edhe pas 31 tetorit.

Besohet se afër 10.000 targa me akronime serbe – sikurse KM, PZ, PR, e të ngjashme – qarkullojnë në veriun e Kosovës me shumicë serbe. Kosova i konsideron ilegale këto targa që lëshohen nga Serbia.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kërkuan edhe njëherë që Kosova të shtyjë afatin për targat. Kësaj radhe për dhjetë muaj. Por, thirrjes së tyre, kryeministri Kurti i tha “JO”.

Pavarësisht kësaj, Kurti më 28 tetor shpalosi një plan për çështjen e targave që lëshohen nga Serbia, që do të zbatohet në disa faza. Plani parasheh që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm “të hiqen” të gjitha targat që nuk janë RKS- Republika e Kosovës.

“Për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë të mbajtur më 28 tetor.

Pas këtij vendimi të Qeverisë së Kosovës ka reaguar shefi i zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, që e ka cilësuar si “mashtrim”.

“Çdo lloj krize dhe tensioni në Kosovë dhe Metohi u shmangën vetëm falë sjelljes së matur dhe të përgjegjshme të popullit tonë atje dhe presidentit [të Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, prandaj nuk ka asnjë nënshtrim ndaj mashtrimit që Kurti dhe [zëvendëskryeminstrit të Kosovës, Besnik ]Bislimi po përpiqen të bëjnë, përmes këtij vendimi, duke pandehur se janë të gatshëm të bëjnë kompromis. Kjo sepse, gjithçka që bëjnë, e bëjnë në kuadër të qëllimit afatgjatë të dëbimit të popullit serb nga Kosova dhe Beogradi nuk do ta lejojë këtë”, tha ai.

Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti, tha se qytetarët në veri deri më 31 mars do të mund të përfitojnë lehtësirat tatimore pasi të riregjistrojnë makinat e tyre në RKS. I pyetur se nëse ky vendim nënkupton shtyrje të afatit për targa, ai tha se Kosova nuk e ka shtyrë zbatimin e vendimit, por “ne e kemi përshkallëzuar dhe sekuencuar atë”.

Kurti përsëriti se targat me akronimet serbe për qytetet e Kosovës janë ilegale.

Afati për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia paraprakisht skadoi më 31 tetor dhe Qeveria tha se me këtë vendim të ri ajo po tregon seriozitet për të zbatuar vendimin që ka marrë, por “në të njëjtën kohë që t’u japim shans atyre që janë të interesuar të integrohen”.

Pas shpalojses së këtyre fazave nga kryeministri Kurti, filloi drama e serbëve sërish. Kësaj radhe me kërcënime me largim nga të gjitha institucionet e Kosovës. Drejtori rajonal i  Policisë së Veriut të Mitrovicës, Nenad Gjuriq përmes një konference për media kumtoi se më nuk do i zbatojnë urdhërat e Drejtorisë Qendrore për zbatimin e masave për targat. Menjëherë erdhi suspendimi i tij nga Policia e Kosovës. Mirëpo nuk mbaroi me kaq. Të nesërmen Lista Serbe paralajmëroi largim nga institucionet ku më pas veçse morën vendim për të vepruar ashtu.

Shefi i Qeverisë së Kosovës tha se për planin e ri për targat i ka informuar edhe përfaqësuesit e QUINT-it, me të cilët ka biseduar para mbledhjes së Qeverisë. Pavarësisht se tha që ata fillimisht i kërkuan që të shtynte afatin për riregjistrim, me të dëgjuar për vendimin e ri, thanë se do të tregojnë mendimin e tyre pasi të jenë konsultuar me kryeqendrat e tyre.

Natyrisht, pasi u bë publik ky vendim i Qeverisë, SHBA-ja u shpreh e “zhgënjyer” me mosshtyrjen e afatit për riregjistrim.

Një presion aq i madh nga ndërkombëtarët nuk mendohet të jetë bërë ndonjëherë. Ky presion u rrit edhe më shumë kur këshilltari i presidentit të SHBA-së, Derek Chollet, përmes një lidhje telefonike ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Fola me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, sot për të diskutuar rëndësinë e shmangies së tensioneve dhe shtyrjes së zbatimit të rregullave të reja të targave, pa konfiskime apo gjoba. Gjithashtu diskutuam për partneritetin tonë dhe synimet e përbashkëta për avancimin e integrimeve evropiane dhe euroatlantike të Kosovës”, ka thënë Chollet.

Edhe i pari i Diplomacisë Amerikane në Kosovë, Jeff Hovenier ka thënë se është e rëndësishme, të shmangen tensionet dhe të shtyhet zbatimi i marrëveshjes për targa. Po ashtu, Hovenier i ka dënuar sulmet ndaj personave të cilët i kanë ndërruar targat.

“E rëndësishme për të shmangur tensionet dhe për të shtyrë zbatimin e rregullave të reja të targave. Ne dënojmë gjithashtu veprimet për të frikësuar ose hakmarrë ndaj atyre që kanë ndërruar targat e tyre”, ka shkruar Hovenier.

Kjo kërkesë për shtyrjen e afatit ishte bërë edhe nga emsiari amerikan Gabriel Escobar, i cili ditë më parë ka deklaruar se ende nuk e ka marrë një përgjigje pozitive nga Qeverie e Kosovës, ndaj kërkesës së tij.

Po ashtu, kërkesës për shtyrjen e afatit i janë bashkuar shtetet e QUINT-it.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës dhe presidenca kanë deklaruar se nuk do ta shtyjnë atë vendim, duke thënë se ka mjaftuar shtyrja e herës së kaluar.

Më 31 tetor përfundoi afati i caktuar nga Qeveria e Kosovës për regjistrim të veturave që kanë targa ilegale duke u bërë thirrje qytetarëve serb të Kosovës, që ti heqin ato dhe ti marrin ato legale RKS.

1 nëntori shënoi ditën kur filloi qortimi nga Policia e Kosovës për pronarët e automjeteve me targa ilegale.

Kjo masë do të vazhdonte deri me 21 nëntor, ndërkaq nga kjo datë deri më 21 janar, të gjithë pronarët e makinave me targa serbe në Kosovë, do të gjobitshin me nga 150 euro.

Por 21 nëntori nuk qe fillimi i zbatimit të kësaj faze, pasi Policia e Kosovës njoftoi të dielën e kaluar, se shqiptimi i gjobave do të niste një ditë më vonë – më 22 nëntor, ditë e hënë, ditën kur u mbajt takimi urgjent trepalësh në Bruksel, që vendosi përballë kryeministrin kosovar Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Ky takim përfundoi pa marrëveshje.

Jo vetëm që përfundoi pa marrëveshje, por pala kosovare mori kritika nga Bashkimi Evropian si asnjëherë më parë.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, ftoi të hënën kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq për të diskutuar në lidhje me targat. Në të njëjtën tavolinë ishte edhe emisari i BE-së, Mirosllav Lajçak. Edhe pas 8 orësh takime nuk sjelli asnjë rezultat pozitiv për normalizim të marrëdhënieve.

Kështu bëri të ditur vetë Borrell i cili pas takimit deklaroi se ua ka bërë palëve një propozim për ta shmangur përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës, por sipas tij, këtë propozim e ka refuzuar Kurti.

“Mungesa e marrëveshjes sot nënkupton që ne duhet t’i bëjmë konkluzionet se si këto negociata po zhvillohen. Ne do t’i informojmë vendet anëtar, kolegët dhe partnerët tanë rreth sjelljeve të palëve dhe mungesën e respektit të palëve dhe më duhet ta them këtë posaçërisht për Kosovën. Unë e kuptoj se kjo përçon mesazh shume negativ politik”, tha Borrell.

Në anën tjetër kryeministri Kurti fajësoi Borrellin se hoqi dorë nga propozimi për normalizmin e marrëdhënieve Kosovë -Serbi.

“Me keqardhje mund të them që ndërmjetësit, në këtë rast Borrell hoqi dorë nga ky afati i marsit të vitit 2023 dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Po them me keqardhje sepse vetë e kanë propozuar marsin e vitit 2023 dhe në anën tjetër propozimi është i Bashkimit Evropian. Kur u takuam në Paris në Forumin për Paqe, Borrell tha se propozimi nuk është Franko-Gjerman, por i BE-së dhe i mbështetur nga Franca dhe Gjermania. Sot ai hoqi dorë nga propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi…Unë jam i gatshëm që të vijë këtu të zhvillojë takime gjithmonë me strukturën dhe rendin e njëjtë…Shpresoj që BE t’i rrijë prapa propozimit të vetë për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh ai.

Tashmë presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, po e luante rolin e spektatorit në këtë “betejë” të Kurtit dhe Borrellit.

Sipas njohësve politikë, Kurti ishte fajtor për situatën e krijuar për shkak që ai “ia ofroi” këtë komoditet presidentit të Serbisë.

Në orët e vona të natës së fundit nga dhënia e gjobave, Ambasada amerikane në Prishtinë kërkoi nga Qeveria e Kosovës ta shtyjë për 48 orë vendimin.

Këtë kërkesë e pranoi kryeministri Kurti.

“E falendëroj Ambasadorin Hovenier për përkushtimin dhe angazhimin e tij. E pranoj kërkesën e tij për një shtyrje 48 orëshe për dhënien e gjobave për target ilegale KM (dhe të tjera). Jam I lumtur të punojë me SHBA-në dhe me BE-në për të gjetur një zgjidhje gjatë dy ditëve të ardhshme”, ka shkruar ai.

Sot, kryeministri Albin Kurti në një konferecë për media tha se targat nuk ishin arsyeja e shkuarjes në Bruksel.

“Kur ma dërguan ftesën nga Brukseli, arsyeja pse kam shkuar nuk janë targat. Kam shkuar të filloj diskutimin për marrëveshjen finale. Jam kryeministër. Nuk mund të shkojë kryeministri për targat. Kur i thash Borrellit më 11 nëntor në mëngjes në Paris ku ishim, propozimi franko-gjerman, tha jo nuk është franko-gjerman, është propozim evropian. I thash në rregull zoti Borrell, po në Bruksel e pashë që po të ishte propozim evropian nuk heq dorë aq kollaj. Tash ndodhemi ku ndodhemi sepse, pika e parë korniza e përgjithshme e marrëveshjes u braktis dhe u kalua te cështjet aktuale. Kjo nuk është ajo që jemi marrë vesh, në gusht jemi marrë vesh për takime të rregullta mujore, kam pritur nuk na ftuan. Një propozim serioz, do të duhej të merrej më seriozisht”, ka thënë ai.

Ai ndër të tjera para gazetarëve tha se evropianët kishin caktuar marin e 2023 si afat për marrëveshje finale, duke shtuar se ka kërkuar muajin shkurt, por më pas e lanë krejt.

“Po shkojnë orët, është e vërtetë, por deri në minutën e fundit nuk mund të flasim se çka do të ndodhë kur të skadojë afati. Afatin mars 2023, nuk e kam shkruar unë, e ka shkruar Brukseli. Unë kam kërkuar të jetë shkurti. Thash më mirë. Më shpejt më mirë. Ata e lanë krejt”.

Nga nesër, pritet të hyjë në fuqi faza e dytë e, masa e gjobitjes. Kjo masë do të jetë deri më 21 prill ku nuk mund të ketë më pas targa ilegale në qarkullim.

Ndonëse se kanë mbetur edhe pak orë, situata në Veri duket të jetë e qetë.

div.meta-author { display:none; }