
30/01/2022 21:00
Në Skënderaj para disa kohësh është vendosur shtatorja e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut në kulmin e ndërtesës,e kjo është përcjell me komente të shumta.
Ndërsa Ilir Seferi, mërgimtari dhe biznismeni nga ky qytet, i cili është ideatori i kësaj shtatorje në një intervistë eksluzive për “Radio-Ylberi” tregoi më shumë rreth punimeve për shtatoren, idesë, dhe komenteve.
Iliri tregoi për idenë e vendosjes së kësaj shtatorje dhe shtoi se Skënderaj tani është qyteti i vetëm që ka shtatoren e Skënderbeut dhe Adem Jasharit të cilët luftuan me të njejtin Flamur.
“Qyteti i Skënderajt është një metropol historie burimore shqiptare, që mbanë emrin e Kryeheroit tonë Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Në këtë qytet është rritur kryeheroi tjetër Adem Jashari, kështu që mendova ti bashkoj këta dy Kryeheronjë në Bronzë në qytetin ku jam rritur edhe vet. Tashmë është qyteti i vetëm qe ka shtatoren e Skënderbeut dhe Adem Jasharit të cilet luftuan me të njejtin Flamur.” tha ai.
Seferi shtoi se punimi i shtatores ka marrur afro një vit kohë dhe se ka pasur komente të shumta por me një emërues të përbashkët, se dhe për çka ai është mirënjohës.
“Komente të ndryshme me një emërues të përbashkët. ‘Prezenca e Gjergj Kastriotit Skenderbeu në Skënderaj i ka dhënë hijeshi qytetit me rrenjë shqiptare me orientim Evropian’, dhe ata kanë qenë falënderues, për çka jam mirënjohës“, shtoi ai.
Sa i përket investimeve tjera në këtë Komunë, Ilir Seferi tha se gjithmonë biznesmenët shqiptarë sidomos në Gjermani kanë bërë plane edhe në të kaluarën për investime të ndryshme.
Sipas tij Skënderaj ka potencial të madh për thithjën e investimeve nga diaspora sidomos në turizëm, agrokultur, industri të ushqimit, pastaj shtigjët për sporte të ndryshme vetëm se duhet një “Know How” e diasporës dhe lehtësim administrativ për diasporën.