
Të shtunën në orët e mbrëmjes në Mitrovicë ka përfunduar edicioni i dymbëdhjetë i Festivalit Tradicional të Komedisë, që zgjati nga 24 deri me 29 tetor. Në këtë festival morën pjesë trupat teatrore nga Presheva, Shkodra, Kumanova, Suhareka, Prizreni e Mitrovica.
Në Festivalin e sivjetmë u shfaqën gjashtë komedi që sollën mjaft risi në skenë duke mundësuar kështu që qytetarët të frekuentojnë teatrin më shumë se çdo herë tjetër.
Komedia “Provo edhe njëherë Sam” e përgatitur nga Teatri i qytetit të Prizrenit, nga autori Woody Allen dhe në regji të Ilir Bokshit që u paraqit të shtunën në mbrëmje, në natën e fundit të Festivalit të Komedisë në Mitrovicë u prit shumë mirë, duke mbyllur kështu ditët festive, njëkohësisht duke rrëmbyer edhe çmimin kryesor të këtij festivali.
Juria profesionale e Festivalit Tradicional të Komedisë e cila me vëmendje ka përcjellë të gjitha shfaqjet, ka dhënë këto vlerësime:
Çmimi i Publikut – shfaqja “Vampiria “ Teatri “Muharrem Qena” Mitrovicë;
Skenografia më e mirë – shfaqja “Burri i gruas sime” Teatri i Qytetit Kumanovë;
Aktorja më e mirë jo-protagoniste – Arbnorë Nuha – shfaqja “Vampiria” – Teatri “Muharrem Qena” Mitrovicë;
Aktori më i mirë jo-protagonist – Brahim Basha – shfaqja “Kërkohet bashkëshort i ri” – Teatri i Qytetit Suharekë;
Aktorja më e mirë Protagoniste – Rita Gjeka – shfaqja “Zhurmat përtej skene” – Teatri “Migjeni” Shkodër;
Aktori më i mirë Protagonist – Ernest Malazogu – shfaqja “Provo edhe njëherë Sam” – Teatri “Bekim Fehmiu” Prizren;
Regjia më e mirë – Ilir Bokshi – shfaqja “Provo edhe njëherë Sam” – Teatri “Bekim Fehmiu” Prizren si dhe shfaqja më e mirë “Provo edhe njëherë Sam” – Teatri “Bekim Fehmiu” Prizren.
Ndërsa, kryetari i Komunës, z. Bedri Hamza së bashku me drejtoreshën e DKRS-së, Valdete Idrizi ndanë çmimet kryesore për artistët dhe mirënjohje për të gjithë ata që kontribuan në realizimin e edicionit të dymbëdhjetë të Festivalit.


