05/08/2022. 21:19
I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se Uashingtoni pret nga Prishtina nisjen e diskutimeve me Beogradin për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Ne jemi të qartë se Asociacioni është pajtuar më parë, prandaj duhet të diskutohet. Por Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë e të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Nuk duhet të krijojë probleme në funksionimin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë “një shtet brenda shtetit”, theksoi Escobar në një video-konferencë.
Se Kosova duhet të flasë për Asociacionin, Escobar thotë t’u ketë kërkuar presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti kur i takoi në ShBA sekretari Anthony Blinken.
Escobar tha se tash e tutje çështja e AKS-së duhet të diskutohet në rrethet e reja në dialogun e Brukselit, që e quajti çelësin për integrime euro-atlantike.
Pastaj i shtoi garancitë amerikane për republikën e vogël ballkanike.
Kosovarëve u thotë se pavarësia e shtetit të tyre është e pakthyeshme e sovraniteti bashkë me integritetin territorial i paprekshëm.
“Aspiratat tona janë të njëjtat si të popullit të Kosovës, që të njihen nga gjithë vendet e BE-së, që ata të kenë liberalizim vizash menjëherë dhe që dera të hapet për hyrje në krejt organizatat ndërkombëtare, që ata aspirojnë të jenë pjesë. Jam i sigurt që po lëvizim në këtë drejtim”, shtoi emisari.
I sigurt emisari është edhe mbi mundësinë që Kosova e Serbia të pajtohen për zgjidhjen e krizës për reciprocitet me letërnjoftime e targa të veturave.
Liderët e dy vendeve janë thirrur për takim me 18 gusht. Prishtina ka pezulluar për 30 ditë zbatimin e vendimeve të veta.
“Kjo zgjidhje e përhershme mendoj se s’ do ndryshoj shumë jetët e njerëzve në veri të Kosovës, është fakt i thjeshtë që veturat që operojnë në Kosovë duhet të regjistrohen e të operojnë sipas ligjeve të këtij vendi. Ata duhet të ofrojnë lëvizjen e lirë jo vetëm brenda Kosovës e Serbisë por në krejt rajonin dhe Evropën në përgjithësi”
Diplomati theksoi se situatat e krijuara në veri të Kosovës, duhet të zgjidhen me diplomaci.
“Rusia do që të luaj një rol por ky rol nuk është aq i rëndësishëm sa faktorët destabilizues të disa politikanëve e aktorëve që operojnë përbrenda Ballkanit Perëndimor”, përfundoi Escobar, i cili paralajmëroi se së shpejti do të bëjë vizitë në Ballkan.