31\05\2022 22:22
Presidenti i ri i Shqipërisë do të zgjidhet pasditen e së shtunës, me shumë gjasë vetëm me votat e socialistëve. Konferenca e Kryetarëve, që caktoi datën e raundit të katërt të votimit, pas dështimit të 3 raundeve të para pa asnjë kandidat, u shoqërua me debate.
Enkelejd Alibeaj nuk u përfshi në diskutime për këtë çështje, duke e thënë qartë se e bojkoton atë pas dështimit të negociatave me mazhorancën, ndryshe nga Grida Duma dhe Agron Gjekmarkaj, që përsëriten pse shumica nuk e kishte seriozisht kur kërkoi të zgjedhin së bashku një kandidat konsensual.
Por Fatmir Mediu e akuzoi pikërisht Alibeajn, që udhëhoqi negociatat me socialistët se e ktheu në qesharak procesin e zgjedhjes së presidentit, duke mos u dakordësuar për të sjellë një kandidat. Përgjigjen ia dha socialisti Taulant Balla dhe jo Alibeaj.
Ndërkohë, socialistët do të mbledhin kryesinë pasditen e së premtes, për të vendosur për kandidatin që do të propozojnë. Të shtunën, në orën 08:00, grupi parlamentar do të mbledhë firmat për të mbështetur kandidatin për president dhe dorëzuar emrin e atij që me shumë gjasë pasditen e po kësaj dite, do të jetë president i ri i Republikës./tvklan.al/