News That Matters

Së shpejti hapet konkursi për policë të rinj

28/09/2021 15:17
Policia e Kosovës ka filluar një kampanjë informuese për qytetarët që dëshirojnë të konkurrojnë për zyrtar policor në Policinë e Kosovës.

Sipas Policisë, qëllimi i organizimit të kësaj kampanje informuese është për të inkurajuar sa më shumë qytetarë për të aplikuar në konkursin për zyrtarë policorë i cili do të shpallet së shpejti nga policia e Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë për KosovaPress se ende nuk është bërë i ditur numri i saktë i policëve që do të rekrutohen.

Sveçla thotë se po punojnë që të rrisin numrin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për shkak të angazhimeve të shumta në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Është çështje javësh, mos të them ditësh që konkursi i ri për rekrutim të pjesëtarëve të ri të Policisë së Kosovës do të bëhet publik. Ne edhe ashtu po punojmë që të rrisim numrin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, kjo për shkak të angazhimeve të shumta por edhe si prioriteti numër 1 i qeverisë Kurti II, i cili është lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, prioritet që kërkon angazhim të shtuar të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe segmenteve tjera të sigurisë… 1:03 Shifrat përfundimtare ende nuk janë caktuar, por bëhet fjalë për një rritje diku midis 2-3 përqind të forcës të Policisë së Kosovës”, thotë ai.

Nga Policia e Kosovës thonë se janë duke bërë përgatitjet për fillimin e procesit të ri të rekrutimit.

Konkursi i fundit për policë në Republikën e Kosovës ka qenë para tri vitesh.

div.meta-author { display:none; }