News That Matters

Scholz i thotë Vuçiqit: Dialogu duhet të çojë në marrëveshje gjithëpërfshirëse

04/05/2022 21:36
Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kancelari gjerman Olaf Scholz ka takuar sot në Berlin edhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, me të cilin ka biseduar për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.

Në një konferencë të përbashkët me Vuçiqin, Scholz tha se të gjitha detyrimet e dakorduara duhet të respektohen dhe se lëvizjet e njëanshme nuk janë të dobishme.

“Kam biseduar me presidentin Vuçiq për rëndësinë e progresit në dialog që duhet të çojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Të gjitha çështjet e hapura duhet të zgjidhen brenda dialogut, kjo kërkon guxim dhe vendosmëri dhe të gjitha detyrimet e dakorduara duhet të respektohen”, tha Scholz.

Kancelari gjerman po ashtu i bëri me dije Vuçiqit, vendi i të cilit nuk i ka vënë sanksione Rusisë për agresionin në Ukrainë, se lufta është e parpanueshme.

“Presidentit Vuçiq ia përcolla edhe shqetësimin tim për situatën në Bosnjë. Është shumë e rëndësishme të ruhet stabiliteti”, tha Scholz, përcjellin mediat serbe.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për luftën në Ukrainë, presidenti serb Vuçiq ka theksuar gjithashtu se Serbia e ka kuptuar mirë mesazhin e Gjermanisë dhe të tjerëve.

“Sa i përket Serbisë, ne kemi një qëndrim tjetër për Kosovën, Serbia ka qenë nën sanksione për një dekadë të tërë dhe është një ndjenjë ndryshe nga shumica e të tjerëve. Serbia e kuptoi mesazhin e Gjermanisë dhe të gjithë të tjerëve”, tha Vuçiq në konferencë për shtyp, pas takimit.

Ndërsa, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është pjesë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis këtyre dy vendeve.

Duke iu referuar marrëveshjes së pritur midis tyre, Scholz tha se dokumenti do të ketë shumë detaje, por se do të përfshijë edhe njohjen e Kosovës.

“Objektivi i dialogut të Brukselit [midis Kosovës dhe Serbisë] është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e qëndrueshme midis dy vendeve, që u hap të dyja vendeve perspektivën e [anëtarësimit në] Bashkimin Evropian dhe kontribuon për stabilitetin rajonal”, tha Scholz, pas takimit me Kurtin.

Kurti e Vuçiq pritet të takohen sonte bashkë, me ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak

div.meta-author { display:none; }