
03\03\2022 21:36
Parlamenti i Kosovës, pavarësinë e të cilës Ukraina nuk e njeh, ka dënuar agresionin e Rusisë kundër Ukrainës dhe ka shprehur gatishmërinë për të strehuar ukrainasit, që ikin nga lufta.
Lajmi për miratimin e rezolutës nga Parlamenti i Kosovës ka bërë jehonë në mediat ukrainase, të cilat e kanë pasqyruar ngjarjen në ballinat e tyre.
Një prej tyre është ‘evropskapravda’, ka shkruar se “Kuvendi i Republikës së Kosovës dënon fuqishëm agresionin ushtarak të paligjshëm, të paprovokuar dhe të pajustifikuar dhe pushtimin rus të Ukrainës, si dhe përfshirjen e Bjellorusisë në këtë agresion”.
“Pro rezolutës votuan 94 deputetë. Nuk pati vota kundër, por Lista Serbe u largua nga salla para votimit”, shkruan më tutje mediumi ukrainas.
Më tej ky medium shkruan se “në rezolutë, deputetët shprehën mbështetjen për Ukrainën, dënuan sulmet ndaj civilëve, përshëndetën fillimin e hetimit të krimeve të luftës nga Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe mbështetën transferimin e çështjes nga Ukraina në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë”.