
01/07/2022. 17:34
Ministri i Financave, Hekuran Murati, është deklaruar në lidhje me disa shkrime rreth veteranëve, vite më parë.
Murati thotë se shkrimet e tij para disa viteve kanë qenë nga “mllefi me ata që asokohe me fryrjen e listave për përfitime financiare e politike po shtrembëronin historinë e luftës dhe të vërtetën tonë kolektive”.
Ndryshe, gjatë ditëve të fundit në drejtim të Muratit ka pasë reagime në lidhje me disa statuse të tij në rrjetin social Facebook.
Ai në atë status tërhiqte një paralele mes veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me mercenarët, ku thoshte se “këta tre muaj luftë të një ushtrie guerile dojnë më na dalë shumë ma shtrenjtë se një ushtri e rregullt”.
Më poshtë mund të shihni reagimin e tij të plotë:
I përulem sakrificës së secilit dëshmor e kontributit të secilit ushtar të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ky është qëndrimi im.
Shkrimet e para disa viteve kanë qenë nga mllefi me ata që asokohe me fryrjen e listave për përfitime financiare e politike po shtrembëronin historinë e luftës dhe të vërtetën tonë kolektive. Ju siguroj se ato shkrime nuk kanë pasur synim ofendimin ndaj ushtarëve dhe dëshmorëve.
E pranoj që gjuha e përdorur atëherë ka qenë e gabuar, prandaj ju kërkoj ndjesë të gjithë luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre.