
16/07/2022. 15:38
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka thënë se negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian s’kanë më asnjë pengesë.
Këto deklarime, Rama i bëri pasi parlamenti maqedonas i dha dritën jeshile propozimit francez, teksa shtoi se “pengmarrja absurde e Shqipërisë ka marrë fund”.
“U deshën plot 3 vite të stërmundimshme nga vendimmarrja e Këshillit Europian për t’i hapur rrugë negociatave, që vargmali i pengesave artificiale të ngritura përpara Shqipërisë të rrafshohet tërësisht. 3 vite të tëra top futbolli nëpër fushat e interesave të politikës së brendshme të vendeve anëtare – pa harruar edhe xhagajdurët e mëmëdheut, grata e non grata, që tërë këto vite nuk i lanë dy gurë bashkë, për ta bllokuar Shqipërinë për llogari të interesave mizerabël të politikës së tyre pa fe, pa atdhe, pa din e as iman”, është shprehur Rama.
I pari i qeverisë shqiptare tha se delegacioni shqiptar do të niset të hënën në Bruksel për ta filluar një rrugë të re, duke filluar negociatat për anëtarësim.
“Do t’ia dalim në krye edhe kësaj pjese të re përpjekjesh, duke u lidhur më ngushtë me shqiptarët dhe duke e synuar me forca të reja majën ku do ta ngjisim me se s’bën Shqipërinë”.
Rama tha se do t’ia dalin edhe me negociatat që do ta bëjnë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Evropian, ashtu siç ia kanë dalë, sipas tij, me tërmetin e pandeminë.
“Ja kemi dalë pa e ulur ritmin e reformave, të punës e të ndryshimit, pavarësisht premtimeve të pambajtura të BE-së. Do t’ia dalim duke e rritur më shumë ritmin, duke e përmirësuar më tej punën dhe duke e thelluar ende më tepër ndryshimin”.
“Ja kemi dalë pa u mposhtur nga zhgënjimet e as nga lëndimet jo të lehta të këtyre viteve. Do t’ia dalim duke vazhduar të nxjerrim mësime dhe duke mos ngurruar në korrigjimin e vetvetes”.
“Ja kemi dalë me kokën lart, duke arritur ta ngremë Shqipërinë në sytë e më të mëdhenjve, aty ku ajo s’ka qenë kurrë, e vlerësuar dhe e respektuar si e barabartë në çdo marrëdhënie ndërkombëtare. Por të mos e harrojmë, ky nuk është fundi i rrugës sonë, por vetëm fillimi i një pjese të re të rrugës për Shqipërinë që duam”, shkroi Rama.
“Do t’ia dalim në krye edhe kësaj pjese të re përpjekjesh, duke u lidhur më ngushtë me shqiptarët dhe duke e synuar me forca të reja majën ku do ta ngjisim me se s’bën Shqipërinë”.
Ai falënderoi të gjithë votuesit e ata që e ngacomjnë dhe ia “nxijnë jetën me komentet”.