News That Matters

Rama dhe Pacolli dorëzuan në Thumanë banesat e ndërtuara për familjet e prekura nga tërmeti

25/11/2021 19:15
Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka njoftuar se sot në Thumanë kanë dorëzuar banesat e ndërtuara për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019.

Pacolli ka thënë se këto banesa janë ndërtuar sipas normave evropiane.

“Së bashku me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, vëllezërit e mi Afrimin dhe Rrahimin, dhe bashkëpunëtorët e mi Valonin, Nelsonin, Dritonin dhe koperuesit tjerë, sot në Thumanë dorëzuam banesat e ndërtuara për familjet e prekura nga tërmeti. Nga afër, përjetuam pamjet transformuese të këtij blloku të mrekullueshëm banimi të ndërtuar sipas normave strikte evropiane, pra një ambient me ndërtesa moderne, ngjyra të bukura, shëtitore, hapësira të gjelbra, lodra për fëmijë, hapësira për aktivitete tregtare, për aktivitete biznesi të ri etj”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.

Sipas tij, financimi i këtij projekti ka kushtuar mbi 1 milion euro. “Financimi i projektit (mbi 1.250.000) është realizuar nga Fondacioni “Behgjet Pacolli”.

Gjej rastin të falënderoj familjarët e mi, bashkëpunëtorët, dhe të gjithë ata që morën pjesë në punë për realizimin e kësaj vepre të rëndësishme humanitare”, tha Pacolli.

div.meta-author { display:none; }