
01\04\2022 18:22
Sulme ruse në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, duket se janë më të pakta tani për tani, por luftimet janë duke vazhduar në rajonin e Donabsit në lindje të vendit.
Për Donbasin ka shenja se ky rajon do të bëhet edhe fokusi i luftës në javët e ardhshme.
Të enjten, presidenti i ShBA-së, Joe Biden, tha për liderin rus, Vladimir Putin, se ka prova që ai po i forcon trupat ruse në zonën e Donbasit, ndërsa nuk ka asnjë provë të qartë se ai po e tërheq ushtrinë nga Kievi.
Në të njëjtën ditë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar qytetarët se kohë të vështira janë përpara në rajonin lindor, duke thënë se në “Donbas, Mariupol dhe në drejtim të Kharkivit, trupat ruse po e grumbullojnë potencialin e tyre”, ku paralajmëroi se edhe në këtë rajon ata do të mbrohen.
“Situata në drejtimin jugor dhe në Donbas mbetet jashtëzakonisht e vështirë”, shtoi Zelensky, e cila ishte hera e dytë në 24 orë që ai kishte paralajmëruar për një ofensivë të zgjeruar ruse në Donbas, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg gjithashtu pret që Donbasi të bëhet pika thelbësore e luftimeve.
“Rusia po përpiqet të rigrupohet, të rifurnizohet dhe të përforcojë ofensivën e saj në rajonin e Donbasit,” tha ai të enjten, përcjell Klankosova.tv
Kujtojmë se kur presidenti rus, Vladimir Putin, njoftoi për pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, ai pretendoi se qëllimi i të ashtuquajturit “operacion special ushtarak” i Rusisë ishte çlirimi i Donbasit nga, siç i quajti ai, neonazistët dhe mbrojtja e popullit të tij nga “gjenocidi” i supozuar nga autoritetet ukrainase.