
Eksperti i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala ka folur për eskalimin e situatës në veri të Kosovës, ku thotë se është e domosdoshme që të gjendet një rrugë e cila garanton sovranitetin e Kosovës në atë pjesë.
Shala në një prononcim për GazetaBlic thotë se është me rëndësi edhe të ruhet partneriteti me partnerët strategjik.

“Nga situata aktuale në veri të vendit, mund të nxjerrim një konkluzion që duhet të gjendet një rrugë alternative, e cila garanton sovranitetin e Kosovës në atë pjesë, por edhe që ruan partneritetin me partnerët tanë strategjik”, tha Shala.
“Pas fillimit të protestave në veri të vendit, në orët e mëngjesit KFOR-u ka marrë situatën nën kontroll, duke ndërruar pozicionet me pjesëtarët e njësive speciale ku këta të fundit kanë përgjegjësi të ruajn objektet në rast se do të shpërthejë kordoni i pjesëmarësve të KFOR-it”, shtoi Shala.

Duke marrë parasysh që protestuesit serbë thanë që protestat do të vazhdohen edhe nesër, Shala thote se e njejta situate e tensionuar do të jetë edhe ditën e martë.
Shala thotë se KFOR-i do të zgjerojë perimetrin e sigurisë, duke mos iu dhënë mundësi që protestuesit të mos afrohen në drejtim të objekteve komunale.

“Policia e Kosovës e kishte situatën nën kontroll edhe para se të shkonte KFOR-i, por që në bazë të analizave të rrezikshmërisë dhe mundësisë për të gjetur një zgjidhje alternative, ata ndërhynë, që kjo pjesë pastaj të diskutohet në nivelin politik në mes të dy palëve”, thotë Shala.
“Në ditën e nesërme, presim prap një tensionim të situates, por KFOR-i do të zgjerojë perimetrin e sigurisë për rreth objekteve përkatëse. Kështu që nuk do t’ju jepet mundësia e afrimit në drejtim të objekteve komunale për të shkaktuar ndonjë sulm eventual nga këto grupe kriminale”, tha Shala.
