
13/07/2022. 22:35
Sot, në Qendren e Kulturës “Rexhep Mitrovica” në prani të një publiku të gjerë është promovuar libri “Jeta e mërgimtarit” i autores së re, Albulena Miftari. Në këtë promovim kanë marrë pjesë shumë njohës të artit e të kulturës, profesorë, miq e familjarë të autorës.
Promovimi i librit “Jeta e mërgimtarit”, u mbajt nën patronatin e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” nga Suedia.
Libri “Jeta e mërgimtarit” është libri i dytë i autores Miftari, pas librit të parë “Mitrovicë, zonja qëndresë” i cili u promovua në nëntor të vitit të kaluar. Këtë libër të përbërë nga 126 faqe e gjejmë të ndarë në dy kapituj, prozë poetike dhe poezi. Në tërësi, libri përmban 20 proza poetike dhe 20 poezi, përmes të cilave, Albulena prek thellë zonën më të ndjeshme të shpirtit të mërguar, kthimin e tij në atdhe.
Në libër mund të gjeni histori të ndryshme që kanë qenë dhe janë preokupim i mërgatës sonë. Libri është i recensuar nga prof. Fetah Bahtiri dhe Hysen Ibrahimi, redaktore e lektore, Flora Peci, botues, Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi dhe dizajner i ballinës, Arbër Miftari.
Fotografi nga promovimi: