
Në një sallë të stërmbushur, në Kongresszentrum Allresto, në qendër të Bernit (CH), me 15 tetor 2022, përuruam Monografinë „Arbëreshët-fotosintezë e shpirtit tim“ të autorit Rexhep Rifati. Kjo është monografia e tretë e këtijë autori të palodhshëm i cili i vizitoi të 52 ngulmimet arbëreshe në Kalabri për të mbledhur materiale dhe fotografi.
Për veprimtarinë e tij jetësore dhe kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e gazetarisë, kulturës dhe të promovimit të komunitetit shqiptar në diasporë, gazetarit Rexhep Rifati iu nda Mirënjohje e përbashkët nga Ambasada e Kosovës, Ambasada e Shqipërisë dhe Ambasada e Maqedonisë së Veriut. Mirënjohjen ia ndanë udhëheqësit e misioneve që ishin të pranishëm në mbrëmje, ambasadorët Ilir Gjoni dhe Sami Ukelli.
Për ta nderuar veprën e Bacës Rexhë siç e thërasin me respekt tërë ata që e njohin, kishin ardhur mysafirë të shumtë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Gjermania, Italia, Franca, Austria e gjetiu. Këtë mbrëmje kulturore e begatuan me pjesëmarrje edhe arbëreshët të ardhur enkas nga Kalabria e Italisë, që interpretuan këngët burimore arbëreshe.
Madhështinë kësajë feste të kulturës shqiptare në Zvicër ia shtoi edhe prania e grupit muzikorë „Gjaku i Arbërit“ nga Kalabria, nën drejtimin e Profesor Michele Greco, që u prezantua me këngë të bukura arbëreshe.
Këtë mbrëmje shqiptare në mërgatë, e moderoi me mjeshtërinë e tij artistike Kryetari i LSHB-së, Nazmi Jakurti.
Aktivisti për qështje shqiptare Rexhep Rifati, i cili ka mbushur 80 vjet jetë e mbi 55 vjet aktivitet i dëshirojmë edhe me tutje shëndet dhe punë të mbarë.



