
07/10/2021 13:06
Prokurori i Specializuar, Jack Smith ka thënë se Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj kishin për qëllim rrënimin e Gjykatës Speciale.
Ai ka thënë se arsyeja pse kjo gjykatë është vendosur në Hagë, ka qenë sepse ka pasur atmosferë për kërcënimin e dëshmitarëve.
“Është realitet që kjo atmosferë ka qenë duke i penguar dëshmitarët që të bashkëpunojnë me këtë gjykatë. Përhapja në publik e dokumenteve konfidenciale përbënë krim”, ka thënë prokurori Smith.
Smith ka shtuar se të të akuzuarit akuzohen për publik të këtyre dokumenteve e jo për vjedhjen e tyre.
“Nëse kryen krime me qëllim ndërhyrje të dëshmitarit apo hakmarrje kanë për të rënduar dy akuza. Të akuzuarit me këto krime kanë shtyrë mediat e Kosovës që të publikojnë këto dokumente konfidenciale”, tha Smith.
Prokurori i Specializuar më tej shtoi se gjatë gjykimit do të paraqesin prova sesi Nasim Haradinaj ka kritikuar mediat që nuk i kanë publikuar këto prova.
“Sot i falënderoj gazetarët me etikë të Kosovës që nuk i publikuan këto materiale. Publiku, kjo gjykatë dhe të akuzuarit duhet ta dinë se përpjekjet për ta ndaluar këtë institucion kanë dështuar…Përpjekjet e tyre për të rrënuar këtë gjykatë dolën të pafrytshme”, tha Smith.
Haradinaj e Gucati deklarohen të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta
Ish-krerët e OVL-UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj kanë thënë se janë plotësisht të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.
Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit, gjykatësi i ka pyetur nëse kanë kuptuar aktakuzën dhe a e konfirmojnë deklaratën e tyre dhënë muaj më parë ku kanë hedhur poshtë akuzat.
“Jam plotësisht i pafajshëm”, ka deklaruar Gucati, i cili kërkoi paraprakisht 2 minuta për të bërë një deklaratë, mirëpo gjykatësi nuk e lejoj.
Në anën tjetër, Nasim Haradinaj gjithashtu tha se është i pafajshëm.