
12\04\2022 14:42
Pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, kanë filluar bashkëpunimet në mes të dy vendeve në shumë fusha.
Investimet nga shteti i Izraelit në Kosovë janë përmendur nga ministri për Bashkëpunim Regjional të Izraelit, Esawi Frej.
Ai në një konference të përbashkët me Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se edhe sjellja e ambasadores së Izraelit në Kosovë, dëshmon miqësinë që e ka ky shtet me Kosovën, me ç’rast ka bërë me dije se jo të gjitha vendet në Ballkanin Perëndimor kanë ambasadorë izraelitë.
“Është vizita e parë e një ministri izraelit në Kosovë dhe kjo vizitë do të trajtojë shumë gjëra. Populli i Izraelit ka kënaqësinë të investojë këtu. Do të gjejmë në cilat fusha do t’i vendosim investimet tona, si në bujqësi. Jam i sigurt që qeveria izraelite do të jetë shpejt këtu dhe hapi i parë i investimeve në Kosovë. Por, na nevojitet që ta njohim njëri-tjetrin. Mirëpo jam i sigurt që jemi në rrugën e duhur, sepse kemi vullnetin. Ne do të investojmë, sigurisht… Kosova është e rëndësishme, dhe për këtë arsye kemi një ambasadore këtu. Jo të gjitha shtetet ballkanike kanë ambasadorë të Izraelit, dhe Izraeli ka ambasador në 80 shtete. Në shumicën e shteteve ballkanike nuk ka ambasador izraelit, por në Kosovë e kemi. Jam i sigurt që me ngritjen e lidhjeve tona ekonomike kur të rritet tregtimi do të ketë nevojë më të madhe për një ambasadë. Në fillim e kemi një ambasadore kur t’i fuqizojmë raportet tona ekonomike ambasada do të hapet, por nevojitet kohë”, ka thënë ministri Frej.
Frej, vizitën e tij në Kosovë e ka konsideruar nder dhe moment historik, pasi është bërë pikërisht në njëvjetorin e vendosjes së marrëdhënieve bilaterale.
Ndërsa ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se vizitat do të jenë edhe nëpër komunat e Kosovës.
“Do të kemi vizita edhe në qytete tjera, nesër do të jemi në Prizren për vizitë në monumente dhe trashëgimi kulturore të hebrenjve dhe të Kosovës. Pas takimit tonë të përbashkët, do të ketë takime me kryeministrin Kurti dhe ministren e Punëve të Jashtme, Gërvalla, ndërsa nesër me kryetarë komunash. Do të jemi në vizitë në spitalin e pediatrisë dhe do të kemi vizitë të qendrën ‘Handikos’ që do të dorëzohen karroca për fëmijët, të cilat i kemi donacion nga ky shtet. Kështu që, është një moment i rëndësishëm, sepse po i thellojmë bashkëpunimet tona. Kjo vizitë është vetëm fillimi i shumë bashkëpunimeve tona të ndërsjella në shumë fusha”, ka thënë ai.
Delegacioni izraelit ka bërë homazhe te pllaka memoriale në nderim të viktimave të holokaustit në oborrin e ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.