
25/05/2022.
Rikujtesë:
Albert VATAJ
GOLGOTA E NJË POPULLI MARTIR NË RETROSPEKTIVË
Në Tiranë, përurohet libri i Bedri Tahirit, “Nga Shqipëria në Shqipëri”.
Një libër bëhet shkas të tubojnë në Tiranë shqiptarë nga të gjitha trojet etnike. Një libër i një autori të njohur kosovar ka përcjell në një ditë të vetme, përmes referatesh dhe kujtimesh nga flakadani i luftës për liri mesazhin e pavarësisë së Kosovës, si i vetmi opsion për statusin përfundimtar. Eposi i korifenjve të luftës së Kosovës, kryeheroi i kësaj lufte për liri e mëvetësi, Adem Jashari, ka behur me gjithë madhështinë e tij përmes episodesh dhe kujtimesh të familjarëve të pranishëm.
Aktiviteti promovues i një libri dhe nderimi për të rënët në luftën e Kosovës u përcoll në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Pjesëmarrja, vëmendja mediatike dhe oratoria profesionale u bëmë mbartës të një kurajoje për të kontribuar sekush në mënyrën dhe mundësitë e tyre që ëndrra kosovare të bëhet realitet.
Akti i krijimit artistik-letrar është mjaft i veçantë dhe specifik, gati-gati i pashpjegueshëm për autorin e librit “Nga Shqipëria në Shqipëri”. Ai, në rrethana dhe momente të caktuara, sikur vjen vetvetiu, të fanitet, të mbërthen fuqishëm e të shtrëngon fort deri në shpërthim. Madje, po nuk qe i gatshëm për ta pranuar e shfrytëzuar me kohën, ka gjasa të ikën me vrap të të lërë fare, ashtu gojëhapur. Krahas librave të tjerë, të bërë brenda këtyre viteve, herë pas here janë shpërthime të çastit. janë shtytësit kryesor. Gjithashtu dhe përfshirje nga shtjellat e rrethanave dhe impresioneve gjurmëlënëse të këtij kulmi historik që kaloi Kosova mëtojnë hapat e parë të krijimit. Të tjera janë ato që janë mishërim i shpirtit, i gjendjeve të epërme.
Me këtë komfort ka ardhur dhe libri i fundit “Nga Shqipëria në Shqipëri” i autorit Bedri Tahiri. Ndjenja kombëtare, golgota e popullit martir të Kosovës, episodet që u bënë fanar të luftës për mëvetësi, korifenjtë e historisë së Kosovës, tragjizmi dhe fataliteti që ngërtheu fatet e një populli, përbëjnë fillin që përshkon fund e krye librin.
Ky shkas ka motivuar organizatorët e dy grupimeve, asaj sindikaliste dhe të ish-të përndjekurve dhe ideatorin Fatmir Hoxha të organizojnë dje në Tiranë në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar një promovim dinjitoz, në të cilin morën pjesë personalitete të politikës dhe letrave nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria dhe Mali i Zi.
Oratorët vlerësuan këtë libër si mjaft të rëndësishëm për kohën në të cilën ndodhet fati i Kosovës. Duke qenë një ditar i faqeve të kësaj historie ai kontribuon në një vlerë të re të ndërgjegjësimit, të forcimit dhe të një konfigurimi më plazmues për të luftuar deri në fund.
Edhe sot si dje jemi në luftë. Dje me armë, sot me bindjen e patundur se pa pavarësi lufta është vetëm një betejë e fituar.
Tiranë, 14 shtator 2007