News That Matters

PËRKUJTIM (JO I RASTËSISHTËM) I TRI VRASJEVE TË MËDHA NË AFËRSI TË VUSHTRRISË

07/02/2022 12:50
Ky postim është marrë nga Agim Morina
Një artikull i shkruem nga gazetari, Shefki POPOVA, për vrasjet dhe terrorin serb ndaj shqiptarëve e veçanërisht, për vrasjen e tre herojve: Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës, që kishte ndodhë disa ditë ma parë.
Gazetari Shefki POPOVA u vra pas lufte, me 10 shtator 2000 dhe vrasja e tij ka mbetë e pandriçueme.
* * *
BUJKU, E ENJTE, 13 SHKURT 1997
PËRKUJTIM (JO I RASTËSISHTËM) I TRI VRASJEVE TË MËDHA NË AFËRSI TË VUSHTRRISË
Gjaku i kuq mbi asfalt të zi Në segmentin e rrugës Stanoc-Pestovë, tre kilometra të gjatë për gjashtë vjet u vranë 6 shqiptarë dhe shumë të tjerë u plagosën që nga momenii kur pushteti serb nisi të aplikojë dhunë dhe terror mbi shqiptarë të Kosovës, një pjesë e magjistrales Prishtinë-Mitrovicë u shndërrua në poligon të vrasjeve të shqiptarëve. Është ky segmenti i rrugës Stanoc-Pestovë, që nuk është më i gjatë se tre kilometra. Për gjashtë vjet, këtu ngjanë (jo rastësisht) tri vrasje të mëdha të shqiptarëve. Aktorë të këtyre vrasjeve janë serbët. Bilanci tragjik i këtyre vrasjeve është gjashtë të vrarë dhe disa dhjetëra të plagosur rëndë e lehtë. Dhe, që të jetë ironia edhe më e madhe, karshi dy varreve të shqiptarëve, të vrarë me 1990, ndërtohet edhe kibuci serb për kolonët nga Kroacia, të cilët me gjasë i kanë duart e përlyera me gjak në luftërat e zhvilluara në Kroaci e Bosnjë.
Rafalet mbi demonstruesit e qetë
Në pranverën e hershme lë vitit 1990, kur në Kosovë, gjithkund kundërmonte erë baruti dhe kur u shemb një krijesë artificiale e quajtur Jugosllavi, edhe në Vushtrri e rrethinë dominoi zëri i arsyes për pavarësi të Kosovës. Stanoci i Vushtrrisë, nga komunistët serbë të asaj kohe kishte marrë epitetin e një vendbanimi “irredentist”. Ishte në shënjestër të vazhdueshëm të policisë serbe. Një buzëmbrëmje, kur shumë qytetarë të këtij lokaliteti ktheheshin në shtëpitë e tyre, kur trupi i tyre ishte ngopur me gaz lotësjellës, një hordhi policësh serbë shkrepin rafale mbi një grup të shqiptarëve nga Stanoci. Breshëri plumbash u derdhën edhe nga automjeti i blinduar. Mbetën të vrarë Sadik Malaj 23-vjeçar dhe Sadri Maksuti 48-vjeçar. U varrosën në vendin e vrasjes. Numri i saktë i të plagosurve nuk dihet sepse ca të rinj lë plagosur kishin frikë të lajmërohen për ndihmë mjekësore.
Tentim për fshehje të krimit
Edhe pranvera e vjetme ishte e kobshme në këtë pjesë të shiritit të zi të asfaltit që lidh dy qytete të mëdha të Kosovës e gjarpëron përmes Vushtrrisë së lashtë. Më 27 prill, një duar katile nga një veturë hodhi një masë shpërthyese në afërsi të kibucit serb, kur fëmijët e Lummadhit po ruanin bagëtinë. Në vend mbeti i vdekur Nexhat (Rifat) Hetemi 12-vjeçar. Shkolla fillore “Migjeni” në Stanoc mbeti pa një nxënës, një karrige e zbrazët, por shokët e shoqet i plotësuan me lule të freskëta, ashtu siç ishte i njomë vetë Nexhati. Aktori i këtij krimi të rëndë, ku lëndime të rënda morën edhe dy të tjerë, mbeti »pazbuluar«. Rifati, babai i Nexhatit sot thotë: “Edhe gjaku i fëmijëve tanë i derdhur mbi asfaltin e zi është simbol i qëndresës sonë. Kush vret fëmijë do të mbetet pa ardhmëri…”
Në pranverën e hershme të sivjetme, segmenti i rrugës së asfaltuar Stanoc-Pestovë, në afërsi të Vushtrrisë, u përgjak me gjakun e njomë të tre shqiptarëve, në vazhdën e shtimit të dhunës mbi shqiptarë. Një tragjedi e madhe që sërish e shkaktoi regjimi okupues, i cili vazhdon terror sistematik. Në këtë poligon të likuidimit fizik të shqiptarëve mbetën të vrarë Zahir Pajaziti e Hakif Zejnullahu nga komuna e Podujevës dhe Edmond Hoxha nga Juniku. Vrasja e këtyre tre të rinjve mbeti pa dëshmitarë, sepse krimi i planifikuar u bë në kohën e iftarit, kur nëpër këtë rrugë frekuenca e automjeteve dhe e udhëtarëve është minimale. Pas vrasjeve, nuk u lejua të vrojtohet edhe nga një largësi e madhe. Vrasja është jashtë logjikës, aspak bindëse nuk është as kumtesa e lëshuar nga ata që e organizuan këtë krim të madh. Madje, pas vrasjes, çdo gjurmë tentuan ta shlyejnë nga vendi i ngjarjes. Por, nuk mundën ta shlyejnë gjakun e njomë mbi asfaltin e zi.
Vallë deri kur kjo pjesë e asfaltit të zi do të përgjaket me gjakun e kuq të shqiptarëve?
Sh(efki) POPOVA
[Përg. A.M.]

div.meta-author { display:none; }