
Gjashtë deri në tetë muaj ka qenë lista e pritjes vitin e kaluar për gastroskopi e kolonoskopi në Klinikën e Gastroenterologjisë në QKUK, derisa në fillim të këtij viti, kjo pritje u zbrit në katër muaj.
Por, së fundmi këto procedura diagnostike janë punë ditësh dhe pacientët më nuk ia mësyjnë privatëve, shërbime këto me çmime prej 120 deri në 200 euro.
Kështu një 74 vjeçar tregon se para dy ditësh ka qenë në kontroll tek gastroenterologu dhe për ditën e mërkurë i është caktuar termini për ekzaminim të zorrës së trashë. Derisa shprehet se është i kënaqur që nuk ka pritur gjatë për këtë shërbim, i kënaqur thotë se është edhe me stafin e kësaj klinike.
Drejtoresha, Fitore Komoni thotë se kjo është arritur falë investimeve dhe punës kolektive, teksa tregon se aktualisht pritjet për gastroskopi janë 10 ditë pune dhe për kolonoskopi 3-4 ditë.
E njëjta thotë se kanë katër aparate të gastroskopisë dhe katër të kolonoskopisë, ndërsa janë në pritje edhe për disa të tjera.
Komoni njofton se së fundmi e kanë shtuar edhe një sallë, ku numërojnë 3 sosh.
Mesatarja e këtyre shërbimeve në ditë është 16. Derisa për gjashtë mujorin e parë të këtij viti janë realizuar afro një mijë gastroskopi dhe rreth 700 kolonoskopi.