News That Matters

Përdorimi i telefonave të mençur nga fëmijët po rezulton të jetë një problem serioz në shumë pjesë të botës

07\06\2022 17:13

*Nga Kade Dajaku

Përdorimi i telefonave ‘smart’ shkakton çekuilibrim në tru e veçanërisht tek adoleshentët. Ky konstatim doli në bazë të një studimi të fundit që tregon të dhënat mbi efektet e ‘smartphoneve’ veçanërisht tek adoleshentët . Studimi u realizua nga “Radiological Society of North America (RSNA)”, të cilët për të nxjerrur këto të dhëna përdorën një metodë shkencore të quajtur MRS (magnetic resonance spectroscopy), ku u përfshin 19 të rinj, të cilët u bënë pjesë edhe e disa testeve mbi të qenit “i fiksuar” pas ‘smartphone’.
Në bazë të të dalurave 46% e personave të marrë në studim pranojnë se nuk mund të jetojnë pa celularin e tyre. Shifrat rriten dukshëm kur flitet për varësinë që kanë të rinjtë edhe ndaj aplikacioneve të ndryshme. Sa më i lartë numri i pikëve që arrihej në test, aq më i madh ishte lidhja me telefonat. Të rinjtë që arrinin pikët më të larta shfaqnin shenja depresioni, ankthi dhe impulsiviteti, thuhet në studimin e bërë.
Në botë pothuajse çdo ditë raportohen shumë raste në media dhe klinika të ndryshme për mungesën e komunikimit të fëmijëve të vegjël me bashkëmoshatarët, prindërit dhe mësuesit. Shkak për këtë është bërë përdorimi i gjerë i teknologjisë. Edhe në vendin tonë ky fenomen është bërë shqetësues.

Lejla Gashi filloi të ketë probleme me të folurin që në moshën shtatë vjeçare për shkak të qëndrimit në telefon për orë të tëra dhe jo shoqërimit me fëmijët. Nëna e saj tregon se si pa vetëdije kishin filluar të shfaqeshin ndryshimet tek vajza saj.

” Nuk dija kujt t’ia lija vajzën. Ishte kohë pandemie, mësimi bëhej online, kur kthehesha në shtëpi e lodhur si zgjedhje, shikoja telefonin, pa i vërejtur ndryshimet. Në moshën shtatë vjeçare vajza ime filloi të mos dinte të fliste rrjedhshëm për shkak të qëndrimit me orë të tëra pranë celularit dhe nuk donte të luante me fëmijët, ende sot është shumë agresive”, -thotë Blerta nëna e Lejlas.

Ndërsa Erestina Uka, psikologe në Klinikën e Retorikës në Prishtinë flet për rastet më të shpeshta që paraqiten në ordinancën e tyre.

“Në ordinancen tonë kemi fëmijë që kanë probleme komunikimi pikërisht për faktin e qëndrimit të gjatë në telefon. Problem tjetër është fakti që prindërit shpesh mburren me aftësinë e fëmijëve të tyre për të manovruar në telefon. Por në momentin kur fëmija duhet të ketë një komunikim të rrjedhshëm dhe të përgatitet për të filluar shkollën atëherë prindërit i shohin efektet negative sepse fëmija nuk flet ose flet shumë pak”, – shprehet psikologia Uka.

Sociologu Valmir Ajeti, renditi disa arsye se pse ndodhin këto çrregullime .

“Fëmija një vjeç, nëse qëndron gjatë në telefon, atëherë do të ketë çrregullim mendor dhe do të përgjigjet në një gjuhë tjetër, duke krijuar kështu çrregullime të të folurit në gjuhën shqipe” – thotë profesori sociolog në Gjimnazin ” Hamez Jashari” Skenderaj.

Ajeti më tej shtoi se efektet negative po shihen jo vetëm tek fëmijët e vegjël.

“Adoleshentët sot në rrjetet sociale marrin edhe modele të tilla si veshjet provokuese, tatuazhet dhe shumë efekte të tjera që vetëm po i shohim”, thotë ndër të tjera Ajeti.

Ky fenomen duket se nuk ka gjetur vend për diskutim në shumë institucione shtetërore apo më konkretisht në Ministrinë e Arsimit, pavarësisht se prindërit dhe shoqëria janë shumë të ndikuar nga ngjarje të tilla.

Sipas një lajmi të publikuar në vitin 2017 nga BBC: ” Sipas një studimi nga rregullatori Ofcom, gjysma e 11 dhe 12-vjeçarëve kanë një profil në rrjetet sociale, pavarësisht faktit se mosha minimale e shumicës së platformave është 13.

Raporti i Përdorimit dhe Qëndrimeve të Medias të Ofcom zbuloi se 46% e 11-vjeçarëve, 51% e 12-vjeçarëve dhe 28% e 10-vjeçarëve tani kanë një profil në media sociale. Ndërgjegjësimi i prindërve për kufirin e moshës ishte i ulët – me rreth tetë në 10 nga ata prindër, fëmijët e të cilëve përdorin Instagram ose Snapchat nuk ishin në dijeni të kufizimeve”.

Kade Dajaku është studente e vitit të parë në Departamentin e Gazetarisë, UP

.

div.meta-author { display:none; }