
26/04/2022. 15:04
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, në një konferencë për media ka prezantuar shifrat e prodhimit, eksportit dhe importit të energjisë elektrike gjatë katër muajve të fundit.
Tahiri ka thënë se për tre muajt, shkurt, mars dhe prill Kosova ka mbuluar kërkesën për konsum pavarësisht se qytetarët i kanë paguar faturat me rritje.
“Gjatë këtyre tre muajve (shkurt, mars dhe prill) ne i kemi paguar dyfishin e çmimit të energjisë elektrike të prodhuar nga KEK-u me çmimin e njëjtë. KEK-u nuk e ka shtrenjtuar çmimin e megavatit, në anën tjetër neve na u janë dyfishuar faturat dhe i kemi nda plus 100 milionë euro për subvencionim të faturave. Ne e dimë që 25 milionë eurot e para janë shpenzuar një pjesë nga KEK dhe KESCO, por më nuk dimë se si janë shpenzuar 100 milionë euro për subvencionimin e tarifave të qytetarëve. Për tre muaj, prodhimi në vendin tonë e ka mbuluar kërkesën për konsum kur ne i kemi paguar faturat në rritje”, ka thënë Tahiri.
Ai ka thënë subvencionimi prej 100 milionë euro nga qeveria për rrymën dhe shifrat e prezantuara për prodhimin, eksportin dhe importin e rrymës duhet të shpjegohen.
“Këta numra flasin shumë, këta numra duan shpjegim të prodhimit, eksportit dhe importit e duan një shpjegim. Të panjohurat tona janë, pse duhet me u dyfishuar çmimi i energjisë elektrike, e që KEK-u nuk e ka shtrenjtuar, vazhdon me shitë të njëjtin dhe pse duhet me u subvencionuar tarifat me 100 milionë euro shtesë para të qytetarëve kur po ashtu nuk ka nevojë për import? Pra ky është një projeksion që ka dalë nga institucionet tona dhe janë të dhëna zyrtare”, ka thënë ai.
Më tutje, Tahiri i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti që t’i lejojë deputetët e LV-së ta votojnë themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar.
“Këto fakte janë të mjaftueshme për një deputet të Kuvendit që të bindet se duhet një Komision Hetimor Parlamentar. Ne i bëjmë thirrje kryeministrit Kurti që mos t’i bllokojë deputetët e tij ta votojnë themelimin e Komisionit Hetimor”, ka thënë ai.