
23/12/2021 12:12
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se për Kosovën mbetet kyç Procesi i Berlinit sa i përket bashkëpunimit rajonal. Osmani tha se Open Balkan shkel parimin e gjithëpërfshirjes dhe barabarësisë.
“Kjo iniciativë që filloi në Novi Sad, që u quajt minishengen, në fakt ka shkelur dy parime, atë të gjithëpërfshirjes, sepse s’i përfshinte të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, dhe atë të trajtimit të barabartë. Ne insistojmë që bashkëpunimi rajonal të vazhdojë në kornizën e Procesit të Berlinit që udhëhiqet nga Gjermania që ka për qëllim që shtetet tona t’i shtyjë drejt Bashkimit EvropianKosova e ka bërë të qartë që alternativa e vetme është Procesi i Berlinit ku ka vlejtë parimi i gjithëpërfshirjes dhe barabarësisë”, tha Osmani.
Shefja e Shtetit u shpreh se përderisa Serbia e udhëheqë iniciativën “Open Balkan” dhe nuk e njeh Kosovën s’mund të pritet nga Vuçiqi që të ketë qëllime të mira.
“Përderisa Serbia ka rol kyç në këtë iniciativë dhe nuk e njeh Kosovën ne nuk mund të presim nga presidenti Vuçiq që ka qëllime të mira për Kosovën sepse vet militarizimi i Serbisë që po ndodh tregon se ka tendenca destabilizuese në rajon. Kur Serbia heq dorë nga tendenca destablizuese ndaj rajonit dhe në momentin që e njeh Kosovën atëherë dikush mund ta merr seriozisht deklaratën e Vuçiqit se i intereson bashkëpunimi rajonal. Në njërën anë flet për bashkëpunim rajonal në anën tjetër i bllokon qytetarët tanë, vendos agjentë të BIA-s për t’i marrë ata në pyetje, i terrorizon qytetarët që e kalojnë kufirin dhe e bën pikërisht të kundërtën e asaj që e avokon në iniciativën “Open Balkan””, tha ajo.