
14/04/2022. 14:58
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se është interesuar që sa më parë të vizitojë komunat në veri.
Ajo ka theksuar se në këtë pjesë ka probleme të sundimit të ligjit, të cilat janë shkaktuar nga banda ilegale të financuara dhe mbështetura nga Serbia.
E para e shtetit po ashtu ka njoftuar se shumë shpejt do të kenë bashkë me kryeministrin Albin Kurti disa vizita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pas takimit me kryetarin e Mitrovicës, Bedri Hamza, presidentja Osmani ka thënë se është duke planifikuar vizita në të gjitha komunat e Kosovës, për çfarë ka shtuar se është në komunikim edhe me ato të cilat udhëhiqen nga komunitetet joshumicë.
“Interesimi im është që edhe vizita në veri të jetë sa më parë të jetë e mundur, në komunën e Mitrovicës veriore, por edhe komunat tjera në veri. Të gjithë qytetarët, pavarësisht etnisë, janë të barabartë dhe duhet të ulemi t’i diskutojmë kërkesat që kanë dhe sfidat me të cilat ballafaqohen”, ka deklaruar ajo.
Në konferencë para gazetarëve, Osmani ka thënë se interesimi i institucioneve të Kosovës është që bashkëpunimi me komunat të jetë i fokusuar në interesat e qytetarëve pa dallim.
“Në veri të vendit, për fat të keq, ka probleme të sundimit të ligjit të cilat janë krijuar nga banda ilegale të cilat financohen dhe mbështeten nga Serbia. Pra, problemi kurrë nuk është me qytetarët që janë aty, qytetarë serbe, qytetarë shqiptarë, qytetarë të komunitetit rom, ashkalinj, egjiptianë, turk e boshnjak. Problemi gjithnjë ka qenë me qytetarët, të cilët ilegalisht kanë kryer krime, kanë frikësuar qytetarët, u kanë mohuar atyre shpesh herë edhe të drejtën e lirë në votim”, është shprehur Osmani.
Më tutje, Osmani ka folur edhe vizitat që pitet t’i realizojnë në ShBA me kryeministrin Albin Kurti.
“Në disa vizita do të jemi bashkë, në disa vizita do të jemi ndaras. Në momentin që i kemi saktë të gjitha detajet e agjendës, patjetër që do t’iu informojmë. Bashkëpunimi ynë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është jashtëzakonisht intensiv. Është bashkëpunim në baza ditore edhe me përfaqësuesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ambasadorin Hovenier edhe me Departamentin Amerikan të Shtetit edhe me Këshillin për Siguri Kombëtare që është brenda Shtëpisë së Bardhë”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka njoftuar se gjatë këtij muaji, dy delegacione të larta nga ShBA-ja do të vizitojnë Kosovën.