
29/10/2021 17:00
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e dytë të vizitës në Portugali, ka takuar ministrin e Brendshëm Eduardo Cabrita dhe pjesëtarë të forcave të rendit të këtij shteti, të cilët kanë shërbyer në Kosovë.
Osmani ka falënderuar ata për kontributin e dhënë, duke çmuar lart rolin e Portugalisë në angazhimin në Kosovë që nga viti 1999, njofton Klan Kosova.
Ajo ka vlerësuar marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve, duke u angazhuar për hapjen e një kapitulli të ri bashkëpunimi.
Siç thotë Zyra e Presidencës, Osmani ka theksuar se Policia e Kosovës në nivel ballkanik e ka besimin më të lartë të qytetarëve të Kosovës. Në këtë kontekst, Osmani ka kërkuar nga ministri Cabrita të shkëmbehen përvojat, në mënyrë që Policia e Kosovës të përfitojë nga ajo portugeze.
Në këtë takim, Osmani gjithashtu ka theksuar se Kosova është e orientuar qartë në rrugën e saj europiane dhe se synim primar mbetet anëtarësimi në BE, NATO, INTERPOL dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Osmani e ka falënderuar Portugalinë që është zë i fuqishëm në përkrahje të liberalizimit të vizave dhe të procesit të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.