
08/06/2022. 18:13
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të mërkurën në takim ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Prishtinë.
Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova dhe Greqia ndajnë të njëjtat vlera euroatlantike, ndaj ka kërkuar mbështetjen greke për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Partneritetin për Paqe dhe NATO, si një garanci jo vetëm për shtetin e Kosovës, por edhe për rajonin.
Në këtë kontekst, presidentja Osmani ka përmendur rrezikun nga tendencat destabilizuese të Rusisë në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Mal të Zi, nëpërmjet Serbisë si satelit i saj.
Një pjesë e takimit i është kushtuar zhvillimeve të krijuara pas agresionit të Rusisë në Ukrainë. Me këtë rast, presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin se Kosova është plotësisht në linjë me sanksionet e BE-së dhe ShBA-së ndaj Rusisë, duke shprehur mbështetje për popullin ukrainas dhe duke bërë me dije se tashmë Kosova ka strehuar një grup të gazetarëve nga ky shtet, sikurse që është e hapur edhe për strehimin e refugjatëve të tjerë.
Në takim me ministrin Dendias, presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit të mëtejmë, me shpresën që së shpejti do të formalizohet vendimi për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Greqia.
Ndër të tjera, në takim me ministrin Dendias, presidentja Osmani ka potencuar edhe nevojën për rritjen e shkëmbimit tregtar e ekonomik, si dhe bashkëpunimin në politikën e jashtme, turizëm, kulturë si dhe sfera të tjera të interesit të dyanshëm.
Kryediplomati grek të mërkurën është takuar edhe me zëvendëskryeministrin Besnik Bsilimi.