
21/06/2022. 21:22
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në prag të 24 qershorit, ditës nacionale të komunitetit egjiptian, ka pritur një grup të grave të këtij komuniteti.
Osmani ka theksuar se është fat i Kosovës që përbëhet nga një shoqëri diverse, pjesë e së cilës janë edhe vajzat dhe gratë egjiptiane, të cilat angazhohen aktivisht në avancimin e të drejtave të komunitetit.
“Komunitetet janë vlerë e shtuar e shoqërisë sonë, dhe duhet të bëjmë çmos që t’u garantojmë mundësi dhe trajtim të barabartë. Fuqizimi i gruas është prioritet për mua. Ofrimi i mundësive për punësim krijon jo vetëm pavarësi ekonomike, duke pasur parasysh faktin se roli i grave në shoqëri është i jashtëzakonshëm, në të gjitha fushat”, ka theksuar Osmani.
Në takim, presidentja ka inkurajuar vajzat dhe gratë e komunitetit egjiptian që ta vazhdojnë angazhimin për fuqizimin e tyre.
“Si institucione të vendit, do të kujdesemi për qasje gjithëpërfshirëse dhe garantim të të drejtave tuaja. Përkrahja dhe fuqizimi i grave duhet të jetë angazhim i përbashkët në mënyrë që çdo qytetar të trajtohet me dinjitet dhe të jetë i barabartë”, ka thënë Osmani në takim më vajza e gra të komunitetit egjiptian.