News That Matters

Osmani kërkon përkrahjen e Malit të Zi për anëtarësimin e Kosovës në KiE

30/05/2022. 20:31

Presidentja Vjosa Osmani gjatë një takimi sot me kryeministrin e Malit të Zi Dritan Abazoviq, ka kërkuar mbështetjen e Podgoricës zyrtare për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës në veçanti, si dhe në organizata ndërkombëtare në përgjithësi.

Në takimin e mbajtur në margjina të Samitit të Demokracisë së Evropës Juglindore në Mal të Zi, presidentja Osmani dhe kryeministri Abazoviq kanë diskutuar për raportet bilaterale në mes të dy shteteve dhe mundësitë për avancimin e mëtutjeshëm të tyre.

Presidentja Osmani ka thënë se Kosova e vlerëson dhe e përkrah bashkëpunimin me Malin e Zi në të gjitha fushat, duke theksuar edhe mundësinë për shkëmbim të përvojave për procesin e integrimit evropian.

Osmani dhe Abazoviq theksuan edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit në mes të vendeve të rajonit. Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e bashkëpunimit të ndërtuar mbi premisat e barabarësisë dhe gjithëpërfshirjes, si dhe faktin se Kosova përkrahë vazhdimin e bashkëpunimit në kuadër të Procesit të Berlinit.

Ndërlidhur me zhvillimet në Evropë si pasojë e luftës në Ukrainë, dy liderët diskutuan edhe për rëndësinë e vazhdueshme të koordinimit të veprimeve me Bashkimin Evropian në raport me agresionin rus në Ukrainë, thuhet në komunikatë.

div.meta-author { display:none; }