
17/12/2021 12:06
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, fjalimin e saj vjetor nY Kuvendin e Kosovës, e ka nisur duke ngushëlluar për jetët e humbura të qytetarëve nga COVID-19.
Ajo tha se sfidat e tilla e bëjnë popullin bashkë dhe se asnjë shtet, sado i madh të jetë, s’mund t’ia dalë i vetëm.
Në këtë kontekst, Osmani iu shprehi falënderime vendeve që e ndihmuan Kosovën me donacione vaksinash dhe pajisje mjekësore. Por, falënderimin kryesor e pati për personelin shëndetësor për të cilin tha se u bë shembull sakfrifice.
“Viti që po e lëmë pas ishte sfidues për ne dhe gjithë njerëzimin. Për shkak të pandemisë dhe pasojat që la si në shendet, ashtu në ekonomi. Pandemia ka sfiduar jetët tona dhe mbase ka ndryshuar përjetësisht edhe mënyrën tonë të jetesës. Prandaj, në këtë moment kur sytë tanë janë orientuar fuqishëm nga shpresa për një të ardhme më të mirë, dua t’i kujtojmë ata që e humbën jetën si rrjedhojë jetën nga virusi. Dua t’iu shpreh ngushëllime familjeve të tyre, por edhe t’u jemi mirënjohës të gjithë atyre që dhanë ndihmesën e tyre, në cilëndo formë qoftë, për ta sfiduar pandeminë. Dua t’i shpreh mirënjohje qytetarëve të Kosovës, sidomos personelit shëndetësor që e dhanë shembullin se vetëmohimi dhe përkushtimi është gjithmonë i mundur”.
Osmani tha se duhet përkushtim global për ta luftuar pandeminë dhe mbrojtur ambientin sikurse edhe në përballje me plot kërcënime tjera.
“Për këtë qëllim, nga dita e parë e mandatit tim jam përkushtuar bashkërendimit të veprimeve për menaxhim të pandemisë”.
Presidentja ka thënë se Kosova radhitet ndër vendet më të suksesshme në luftën e saj me pandeminë falë punës së institucioneve dhe gatishmërisë së qytetarëve për t’u vaksinuar.
Prandaj, Osmani bëri thirrje që të merret edhe doza e tretë e vaksinës për t’u bërë ballë valëve të reja të mundshme të virusit.