News That Matters

Organizim madhështor në Skenderaj në shënim të Ditës së Çlirimit!

18/06/2022. 18:34

Në mënyrë madhështore, me pjesëmarrje të gjerë, është kremtuar sot Dita e Çlirimit – 18 Qershori, ku janë organizuar një sërë aktivitetesh përkujtimore, homazhe në nderim të heronjve të luftës, ngjarje të tjera kulturo-artistike, sportive dhe gara të tjerë.
Fillimisht, janë bërë homazhe te shtatorja e komandantit legjendar Adem Jashari në qytet, ku kanë marrë pjesë kryetari Fadil Nura, nënkryetari Sami Lushtaku, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, deputetët e Parlamentit të Kosovës, kryesuesja e Kuvendit, Adelina Spahiu, anëtarë të Kuvendit, drejtorët, bashkëluftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfaqësues të institucioneve publike, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta dhe qytetarë të shumtë.
Më pas, ky delegacion i gjerë ka vazhduar në Kompleksin Përkujtimor në Prekaz, ku janë vendos lule të freskëta te varret e heronjve Shaban, Hamëz e Adem Jashari, duke u nderuar kështu edhe të rënët tjerë dëshmorë të familjes së ngushtë dhe gjerë Jashari.
Homazhe dhe nderime me një minutë heshtje, janë mbajtur edhe në Kompleksin e Dëshmorëve në Marinë, në nderim të dëshmorëve të kombit.
Në kuadër të organizimit zyrtar të Komunës së Skenderajt, në qytet është mbajtur edhe programi artistik, ku veç pikave tjera dhe fjalimeve, janë lëshuar në ajër tullumbacet me ngjyra kuq e zi.
Në një ceremoni tjetër, është bërë zbulimi i emrit të komandantit Ilaz Kodra në Palestrën e Qytetit.
Kuvendi Komunal ka mbajtur seancë solemne në nderim të 18 Qershorit, ku në fjalimet e kryesueses Adelina Spahiu dhe të kryetarit Fadil Nura, është lartësuar vepra e komandantit legjendar Adem Jashari, si dhe e dëshmorëve tjerë të luftës çlirimtare.
Ndërkaq, në oborrin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, në praninë e një numri të madh pjesëmarrësish, është bërë zbulimi i bustit të heroit të Kosovës, dr.Fatmir Fazlija, emrin e të cilit e mban me krenari ky institucion shëndetësor.
Në Krasmirofc ndërkaq, është mbajtur një organizim tjetër, ku është bërë zbulimi i pllakave përkujtimore për objektet që kanë shërbyer në luftë; spitali ushtarak i Zonës Operative të Drenicës dhe shtëpia- shkollë, prona të Ismajl Mehmetit, që i kishte vënë në shërbim të arsimimit tw gjeneratave tw asaj kohe dhe luftës së lavdishme çlirimtare.
Në Turiqec po ashtu është organizuar një aktivitet sportiv, ku është mbajtur gara mbarëkombëtare në ping-pong, me pjesëmarrje të veteranëve të këtij sporti.

div.meta-author { display:none; }