News That Matters

Optimizëm në MASHT, pritet avancim i Kosovës në PISA 2022

21/04/2022. 15:26

Katër ditë para mbajtjes së testit ndërkombëtar PISA 2022, zyrtarët e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, janë optimistë se nxënësit kosovarë kësaj radhe do të dalin më mirë se dy herët tjera.

Kjo meqë, testi PISA i vitit 2018, pra i fundit, doli i dobët, njëjtë sikur më 2015.

Zëdhënësja e MASHT, Iliriana Pylla, tha për Klankosova.tv se nuk presin që gjendja pandemike e dy viteve të fundit të ketë ndonjë efekt të madh negativ në rezultat.

“Bëhet fjalë për përgatitjen e nxënësve në 9 vite të shkollimit, jo për përgatitje në disa muajt e fundit. Mendojmë se gjendja e pandemisë e cila ka rezultuar me çrregullime të procesit mësimor në dy vitet e fundit, ka ndikuar në përgatitjen e nxënësve. Sidoqoftë, shpresojmë që të marrim një rezultat real nga testi”, tha ajo.

Pylla poashtu garanton se procesi nuk do të afektohet as nga ndonjë grevë eventuale e mësimdhënësve, që është lënë si mundësi nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

“Ne mendojmë se nuk ka asnjë arsye për grevë në arsim, por, nëse ka, atëherë kjo nuk do të duhej të ndikonte në testin PISA, sepse administratorët e testit janë kontraktuar jashtë detyrave të rregullta të punës”, tha ajo për klankosova.tv.

Testi PISA 2022 do të nisë prej 25 prillit për të vazhduar deri më 20 maj.

Aty do të vlerësohen aftësitë e 15 vjeçarëve në lexim, matematikë dhe shkencë, ndërsa do t’i nënshtrohen rreth 7 mijë nxënës nga 237 shkolla

Më 2018, nga 79 vende pjesëmarrëse të botës, Kosova doli e 77-ta, ndërsa më 2015 ishte e 70-ta nga 72 vende sa morën pjesë në test.

div.meta-author { display:none; }