News That Matters

OBSH kërkon anulimin e disa ngjarjeve festive, shkak frika ndaj variantit Omicron

21/12/2021 11:44
Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka kërkuar njerëzve që të anulojnë disa nga planet e tyre të pushimeve për të mbrojtur shëndetin publik pasi varianti Omicron i COVID-19 është përhapur globalisht.

“Një ngjarje e anuluar është më e mirë se një jetë e anuluar”, tha kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, duke shtuar se duhet të merren “vendime të vështira”.

“Në disa raste, kjo do të nënkuptojë anulimin ose vonimin e ngjarjeve,” tha ai.

Komentet e tij erdhën pasi ekspertët e shëndetit deklaruan se Omicron tani është varianti dominues në SHBA, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Tedros shtoi se tani kishte prova se varianti “po përhapet dukshëm më shpejt se… Delta”.

Një numër vendesh – përfshirë Francën dhe Gjermaninë – kanë shtrënguar kufizimet ndaj COVID dhe kanë vendosur kufizime të udhëtimit në përpjekje për të ndaluar përhapjen e variantit të ri. Holanda ka vendosur një bllokim të rreptë gjatë periudhës së Krishtlindjeve.

Shtëpia e Bardhë tha të hënën se presidenti Joe Biden nuk po planifikonte “të mbyllte vendin”, teksa eksperti më i lartë i sëmundjes infektive atje, Anthony Fauci, paralajmëroi më herët se udhëtimi i Krishtlindjeve do të rriste përhapjen e Omicron edhe në mesin e të vaksinuarve plotësisht.

Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe Departamenti i Shtetit kanë këshilluar amerikanët të mos udhëtojnë në tetë vende, përfshirë Spanjën, Finlandën, Çadin dhe Libanin.

Omicron – i zbuluar për herë të parë në Afrikën e Jugut në nëntor – është klasifikuar si një “variant shqetësimi” nga OBSH.

div.meta-author { display:none; }