
28/12/2021 15:33
Deputetët e Kuvendit të Kosovës të martën nuk kanë arritur të miratojnë vendimin e ekzekutivit për masat e emergjencës gjatë furnizimit me energji elektrike i marrë në mbledhjen e Qeverisë të premten më 24 dhjetor.
Pas votimit, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se nuk ka kuorum për t’u votuar ky vendim dhe deputetët shkuan në pauzë për t’u kthyer më pas rreth orës 16:00.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë debatuar të martën, 28 dhjetor, lidhur me krizën energjetike, në seancën e thirrur për aprovimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave të emergjencës gjatë furnizimit me energji elektrike.
Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë, kishte kërkuar nga deputetët që ta aprovojnë vendimin e Qeverisë të marrë të premten, më 24 dhjetor. Sipas saj, rritja e konsumit të energjisë elektrike ka bërë që Kosova të ketë vështirësi furnizimi me energji elektrike, sidomos në muajin dhjetor.
“Një vendim i tillë i mundëson Qeverisë marrjen e masave që kanë të bëjnë me vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorë, ose vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë. Këto masa të vendosen për 60 ditë, mirëpo ky afat mund të vazhdohet nga deputetët e Kuvendit”, ka thënë Rizvanolli.
Ministrja ka thënë se masat janë të përkohshme dhe kanë për qëllim të zbusin krizën e furnizimit me energji.
Masat emergjente të furnizimit me energji përfshijnë: Vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.
Nëpërmjet këtij vendimi, Qeveria ka formuar një Komitet Teknik Emergjent në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë që ka për qëllim identifikimin dhe paraqitjen e rekomandimeve për ministren e Ekonomisë së Kosovës.