
04.09.2021. 14:06
Hetuesit e Inspektoratit Policor në kuadër të monitorimit identifikojnë një zyrtar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, i cili dyshohet se lajmëronte bizneset për angazhimet policore.
“Pas disa veprimeve hetimore, hetuesit e IPK-së kanë identifikuar se një zyrtar i AUV-it (inspektor i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës) dyshohet se është duke lajmëruar bizneset të cilat ishin duke punuar jashtë orarit respektivisht në kundërshtim me vendimin e Qeverisë”, thuhet në njoftimin e inspektoratit.
Lidhur me këtë rast është njoftuar policia dhe ndaj këtij zyrtari të AUV-it nga ana e hetimeve rajonale të Drejtorisë Rajonale të Prizrenit është iniciuar rast penal me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i informatës zyrtare”.
Policia ka filluar së zbatuari planin operativ në zbatim të vendimeve të institucioneve kompetente, për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19 duke ndërmarrë në vazhdimësi veprime policore me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik.
“Krahas këtyre angazhimeve shtesë të policisë, në anën tjetër Inspektorati Policor brenda përgjegjësive dhe mandatit ligjor ka hartuar Planin Operativ për monitorimin e respektimit të vendimeve të Qeverisë së Kosovës mbi zbatimin e masave parandaluese kundër përhapjes së Covid-19”, ka njoftuar ky inspektorat.
“Synimi i këtij monitorimi është që të kontribuohet në ngritjen e përgjegjësisë në ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore dhe të nxisë seriozitetin e strukturës policore që të ndërmarrë hapat efikas në menaxhimin e situatës”, thuhet tutje në këtë njoftim.
Gjatë zbatimit të plani operativ “Monitorimi i zbatimit te masave anti Covid-19” mbrëmë në rajonin e Prizrenit, hetuesit e IPK-së kanë identifikuar se disa biznese të cilat ishin të hapura pas orarit po njoftoheshin paraprakisht nga dikush për operacionet e policisë dhe inspektorëve të AUV-it.