
Marr nga: Agim Morina
ALI PASHË GUSIJA TE XHEMAJL OBRIJA
(Ranoc, Lugu i Drinit)
Ali Pashë Gusija, kur ish kanë shkue tu Xhemajl Obrija, e ikish pasë pa qi Xhemajli pëmimên ish njeri i mêçëm. Edhe Xhemajli e kish pa pá qi edhe Ali pasha ish njeri i mêçëm. E kish pa’ pevetë:
— Pashë, sa vjet i kie?
— I kam katërdhetë vjet.
— Ani, i gzosh!
Edhe po i pëlqen Ali pasha Xhemajlit si djalë i mêçëm e përparimtar. Dikur iu drejtua Ali pasha atij:
— Xhemajl aga — i thotë — sa vjet i kie ti?
— I kam treqin vjet.
— Qysh treqin vjet?
— Po. Niqin i kam t’gjyshit, niqin t’babës e niqin t’mijat — (do me thanë qè treqin vjet tu’ i trashigue doket e zakonet e adetet e shqiptarizmit, edhe â’ kanë i zoti me i përdorë).
KALLAMOQI S’KA SABËR
(Iberticë, Gollak)
Ni hoxhë, me nifarë tubimi, kish pasë thanë se veç me sabër u bâhet ballë të tana punëve. Njani po i thotë:
— Veç ni punë, hoxhë efêni, nuk ka sabër.
— Cilla?
— Kallamoqi, kur t’bâhet m’u prashitë, s’ka sabër.
GRAHI PUNËS E MOS U LUT
(Rezallë, Drenicë)
Ni i likofcas e kish pasë vetë hoxhën:
— Hoxhë efêni, a âsht gjynah me u lutë: „Ishalla bjen shi!”?
— Me kânë tuj pre tulla, po, gjynah âsht.
— Po me thanë: „Ishalla s’bjen!?
— Kur âsht bashqja n’tertik me u tha, gjynah asht me u lutë „Ishalla s’bjen!”.
— E çka me ba pra?
— Grahi punës e mos u lut, as „Ishalla bje!”, as „Ishalla s’bje!”.
TRI TABIJATE T’KQIJA
(Rimanishtë, Gollak)
Njani kish pasë qef me marrë udhë me Binak Alinë. Ni ditë po i thotë:
— A bâhet me t’pritë nestra n’filan vên, se po kam qef mi marrë ni udhë bashkë?
Binaku po i thotë:
— N’i paç tabijat tri sêne, mos m’prit, po ti ec vetum udhës tâne, e unë udhës tême!
— Cillat janë ato tri tabjate?
— E para: mos me m’livdue nër sy; e dyta: mos me m’kallxue çka flasin hallku për mue; edhe e treta: mos me m’kallxue çka flasin hallku për dikân.