
20/12/2021 17:22
Ka nisur grumbullimi masiv i pjesëmarrësve për protestën e thirrur kundër vizitës së Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Protesta është thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe fraksioni brenda PD që është kundër kryetarit, Lulzim Basha.
Protestuesit e mbledhur para selisë së PD, përveç parullave kundër Vuçiç kanë lëshuar etiketime dhe për kreun e PD duke thirrur “Basha ik”.
Vuçiç gjendet në Tiranë në kudër të takimeve për marrëveshjet që rrjedhin nga iniciativa e bashkëpunimit rajonal ‘Open Balkan’.
Në gatishmëri për mbarëvajtjen e protestës janë rreth 1 mijë efektivë të Policisë së Shtetit.
Organizatorët e protestës kanë vendosur një podium para Kryeministrisë ku do të mbajnë fjalim eksponentë të opozitës.
Ish-kryeministri Berisha në një reagim përmes rrjeteve sociale në prag të nisjes së protestës tha se reagimi vjen për të mbrojtur “interesin dhe pasurinë kombëtare”.
“Shqipëria e tëra në protestë! Dhjetëra mijëra qytetarë vërshojnë në protestën historike në mbrojtje të interesit dhe pasurisë kombëtare”, shprehet Berisha.
Blindohet kryeministria
Presidenti serb Vuçiç pritet të mbërrijë në Tiranë pasditen e së hënës, në një kohë kur në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, pranë kryeministrisë, Sali Berisha ka thirrur një protestë kundër nismës ‘Open Ballkan’.
Për këtë arsye janë marrë dhe masa sigurie duke filluar nga vendosja e kamerave të sigurisë, të cilat janë lyer me graso për të pamundësuar dëmtimin e tyre.
Gazetari Eni Ferhati raportoi se dyert qëndrore të kryeministrisë janë bllokuar, ndërsa gardhi metalik që do të vendoset më vonë është gati.
Rreth 1 mijë efektivë pritet të jenë në terren për garantimin e mbarëvajtjes së protestës, që sipas Sali Berishës do të mbahet jo vetëm kundër ‘Open Ballkan’, por edhe por edhe kundër ‘vjedhjes së tmerrshme’ që u është bërë shqiptarëve nga qeveria aktuale.
Sipas burimeve nga policia, Vuçiç do të zbresë në aeroportin e Rinasit rreth orës 16:00, ndërsa për të shmangur incidentet, eskortimi i tij do të kryhet nën masa të rrepta sigurie, raporton Euronewsal.
Aleksandar VuçiqProtestëSali BerishaTiranë