
25/12/2021 14:10
Drejtori i Sistemit të Operimit në KEDS, Bujar Jupaj, ka thënë se janë munduar të punojnë sipas planit për furnizim me energji elektrike tani në kohën kur vendi është në krizë energjetike.
Ai, në një konferencë për media, tha se reduktimet kanë mundur të zgjasin më shumë se dy orë në disa vende për shkak se kanë pasur problem në rikthimin e rrymës si pasojë e mbingarkesave të mëdha.
“Sipas kërkesave që i kemi pasë, ne kemi filluar edhe me ndërprerjen e energjisë elektrike. Ndërprerjet kanë qenë të ndryshme në bazë të ngarkesave që kanë ndodhur. Ajo që ka qenë problem gjatë realizimit të planit është se ne si KEDS kemi pasë shumë probleme në rikthimin e energjisë si pasojë e mbingarkesave të mëdha çka do të thotë se pas ndërprerjes së planifikimit me fillimin e aktivizimit të daljeve ka qenë një mori e problemeve ku kemi pasë edhe dëme të ndryshme si djegie të stabilimenteve tona elektroenergjetike. Përkundër këtij fakti, KEDS-i ka angazhuar mbi 400 punëtorë që të merren në menaxhimin sa më të mirë të kësaj situate dhe që të kthejë energjinë sa më shpejt që është e mundur sipas planifikimit”.
“Planifikimin për krizën energjetike e kemi zbatuar me përpikmëri dhe realizimi i planit ka qenë gati deri në 98 përqind, pra ka shkuar sipas parashikimeve që na i ka dërguar kompania që do të thotë transmisioni. Si pasojë e mbingarkesave ka mundur të ketë mungesë të energjisë elektrike edhe për një kohë derisa ne e kemi marrë informatën dhe derisa ka shkuar ekipi”, ka thënë Jupaj