News That Matters

Nesër mbledhja e dy qeverive Kosovë – Shqipëri, kjo është agjenda e kryeministrit Rama gjatë vizitës në Kosovë

19/06/2022. 12:48

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, së bashku me disa ministra do të vizitojë dy fabrikat e eksportuesit më të madh kosovar “Devolli Corporation”.

Në delegacionin e kryeministrit shqiptar do të jenë edhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ajo e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca,e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, si edhe Elisa Spiropali, ministre për marrëdhëniet me parlamentin.

Rama në orën 17:00 do ta vizitojë fabrikën e miellit, “M&Sillosi” në Xërxë ku do të bisedojë me rreth 500 fermerë.

Ndërkaq në ora 17:45 ai do ta vizitojë fabrikën e dyshekëve, “Comodita” në Gjakovë.

Gjatë qëndrimit në “Comodita”, Edi Rama do të takojë përfaqësuesit e 50 bizneseve më të fuqishme në Kosovë.

Kjo është vizita e dytë e kryeministrit shqiptar Edi Rama, në “Devolli Corporation”.

Një vizitë Rama në “Devolli Corporation” e kishte pasur edhe në vitin 2014-të.

Pas përfundimit të vizitës, i pari i Qeverisë së Shqipërisë do të shkojë në Burojë të Skenderajt, ku do ta vizitojë familjen e ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.

Rama e kishte vizituar Thaçin para disa ditësh edhe në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Të hënën, në Prishtinë mbahet takimi i radhës i qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë.

div.meta-author { display:none; }